Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kur nis një procedim disiplinor për zyrtarë të drejtësisë nuk duhet të analizojë thelbin e vendimeve të gjyqtarëve por duhet të merret me çështje që kanë të bëjnë me etikën dhe aspektin procedurial të vendimeve, pasi në të kundërt pavarësia e gjyqësorit është në rrezik. Kjo kërkesë e gjyqtarit Erion Bani vjen në një kohë që Kryeministri Rama në valën e tij të sulmeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve i kërkon Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë që të nisin masë disiplinore ndaj gjyqtarëve për vendime konkrete.
Syri TV
Kryeministri Edi Rama në valën e sulmeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që i akuzon për vendime të padrejta, ka kërkuar nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisjen e procedimit disiplinor si në rastin e gjyqtarëve Habzi Balliu, apo Marko Boshku, teksa në reagimin e tij ka nisur të analizojë dhe vendimmarrjen e tyre gjyqësore duke i dhënë urdhra dhe direktiva instancave të drejtësisë të veprojnë.
Pas reagimeve të vakëta të KLGJ dhe KLP dhe shoqatave të mbrojtjen e gjyqtarëve sot ka ardhur një reagim nga zëvendës Kryetari i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar Erion Bani.
Në fjalën e tij në tryezën e organizuar nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë me temë “Takim i institucioneve të drejtësisë mbi pavarësinë dhe llogaridhënien”, gjyqtari Erion Bani kërkoi që Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kur nis një procedim disiplinor për zyrtarë të drejtësisë nuk duhet të analizojë thelbin e vendimeve të gjyqtarëve por duhet të merret me çështje që kanë të bëjnë me etikën dhe aspektin procedurial të vendimeve, pasi në të kundërt pavarësia e gjyqësorit është në rrezik.
Në tryezë ishin dhe përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë që vunë theksin tek rëndësia e një sistemi gjyqësor të pavarur në procesin e integrimit të vendit.
© SYRI.net