Ka nisur gjykimi i ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj në Gjykatën e Posaçme për dosjen e “Sterilizimit”. Që në nisje të seancës Beqaj u shfaq me ankesa, ku fillimisht tha se nuk e njeh trupën gjykuese, e më tej për mosnjohjen zyrtarisht të tij me akuzën e re apo pagesat që do bënte për aktet.
Syri TV
Ka nisur këtë të enjte gjyqi në themel për dosjen e sterilizimit në ngarkim të Ilir Beqajt, ish-ministrit të shëndetësisë që është i vetmi që po gjykohet me procedurë të zakonshme. Beqaj që akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në nisje të seancës kur u pyet nëse ka konflikt interesi me trupën gjykuese, tha se çdo lloj trupe është e paligjshme në procesin ndaj tij. Ai theksoi ndërkohë që nuk e kishte personalisht me gjyqtarët e çështjes Rudina Palloi, Irena Gjokën e Erion Çelën. Ilir Beqaj pretendoi se akuza e re ndaj tij nuk i është komunikuar kurrë, e ndërkohë u ankua për shpenzimet gjyqësore.
ILIR BEQAJ, ISH-MINISTËR SHËNDETËSIE: Është një situatë paligjshmërie, pasi nuk kam asnjë njoftim akuze nga Prokuroria për vjedhje, jam njoftuar vetëm për shpërdorim detyre. Edhe për njoftimin e akuzës duhet të paguajmë, nuk është puna tek vlera së është qesharake, por them si logjikë.
Ky pretendim lidhet me akuzën e parë që u ngrit ndaj ish-ministrit për shpërdorim detyre, dhe që me insistimin e gjykatës, SPAK pranoi se Beqaj kishte vjedhur duke shpërdoruar detyrën si grup i strukturuar kriminal. Për këtë ndryshim Beqaj pretendon se nuk i është njoftuar zyrtarisht e për rrjedhojë nuk e njeh procesi. Seanca u shty në datën 2 tetor, ku i pandehuri dhe avokatët e tij kërkuan të bëhet verifikimi i fashikujve hetimor të SPAK me ato që kanë mbërritur në gjykatë.
© SYRI.net