'Rasti i Andres', Denoncimi tronditës i aktivistes: Vajzat e trafikuara përfundojnë në burg, shteti inekzistent ndaj trafikantëve

10:34, 08/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, aktivistja e “Drejtësi Sociale”, Sidorela Vatnikaj, denoncoi rastin tronditës të Andres një vajze nga Amerika Latine që u trafikua në Shqipëri, u shfrytëzua për ditë me radhë dhe në vend që të mbrohej si viktimë, u dënua me 9 muaj burg.

Vatnikaj akuzoi institucionet shqiptare për dështim total në identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, ndërsa tregoi se vajza, pasi la burgun, mbeti pa pasaportë, pa strehim dhe e braktisur në mes të katër rrugëve.

Sipas saj, shteti shqiptar jo vetëm që nuk ndëshkon trafikantët, por i kthen viktimat në fajtorë dhe i shtyn drejt një rrethi të pafund dhune e padrejtësie.

Pjesë nga deklarata:

Rasti i Andres, një dëshmi e dështimit të shtetit shqiptar në mbrojtjen e viktimave të trafikimit

Rasti i Andres na vuri në kontakt unë dhe drejtësinë sociale pasi ajo kishte publikuar në rrjetet sociale një video, ku shprehej se nuk po arrinte të merrte pasaportën e saj. Për ne, ky nuk është një rast i izoluar kemi parë raste të ngjashme ku vajza nga Kolumbia, Rusia apo Ukraina vijnë në Shqipëri dhe përfundojnë të trafikuara. Videoja e saj na ngriti shqetësimin se ky mund të mos ishte thjesht një problem administrativ, por një rast më i ndërlikuar që mund të lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore.

Andres kishte ardhur në Shqipëri me premtimin për një punë të ligjshme dhe të rregullt, ashtu si mijëra punëtorë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë vitet e fundit. Por ajo ra pre e një rrjeti trafikimi një fenomen që po shfaqet në mënyrë shqetësuese në vende si Shqipëria, Kolumbia, Venezuela etj.

Ajo që është më e trishtueshme në këtë histori është fakti se, pasi u shfrytëzua për shtatë ditë, Andres përfundoi në burg për nëntë muaj megjithëse kishte deklaruar vazhdimisht se ishte viktimë e shfrytëzimit dhe kishte denoncuar me emra dhe fakte personat që e shfrytëzonin në një rrjet prostitucioni.

Kjo është fatkeqësia e parë që ndodh nga ana e institucioneve shqiptare: viktima shihet si fajtore, sepse duhet gjetur një fajtor dhe krimineli i vërtetë është shumë më i vështirë për t’u dënuar. Rrjedhimisht, denohet viktima.

Për ne, kjo ka qenë një histori jashtëzakonisht shqetësuese. Duke ndjekur procedurat, pamë qartë sa i papërgatitur dhe i painteresuar është shteti shqiptar për rastet e trafikimit. Kur e gjetëm vajzën në mes të katër rrugëve – imagjinoni: një vajzë e shfrytëzuar nga një grup trafikimi, që sapo ka dalë nga burgu, një burg që nuk duhet ta kishte vuajtur. Viktimës duhet t’i ishte dhënë statusi i viktimës, që të përfitonte strehim dhe mbështetje nga shteti shqiptar.

Por për të marrë pasaportën, Andres duhej të priste vendimin e formës së prerë nga gjykata një pritje që zgjaste dy deri në tre javë. Pa pasaportë, askush nuk e strehon. Pa para dhe pa dokumente, mbeti e braktisur në rrugë. Ajo vinte nga një familje shumë e varfër dhe shteti e shtyu drejt një tjetër rreziku: të bie sërish në duart e rrjeteve të prostitucionit dhe të përfundojë sërish në burg për një krim që nuk e ka kryer.

Kur e shoqëruam për të dhënë dëshminë, hasëm një tjetër problem të rëndë: nuk kishte përkthyes. Na u tha se dëshmia nuk mund të merrej për shkak të mungesës së përkthyesit. Për ne, kjo është një situatë absurde. Një vajzë e shoqëruar nga tre apo katër aktivistë nuk arrin dot të marrë pasaportën. Imagjinoni një viktimë e pashoqëruar që sapo ka shpëtuar nga një rrjet trafikimi dhe kur përballet me policinë, i thuhet: "nuk ka përkthyes". Ndërkohë, ajo mund të jetë nën ndjekje nga tutorët e saj dhe realisht në rrezik për jetën.

Gjithashtu, kur u përpoqëm të ndihmonim për kthimin e pasaportës, u përballëm me një tjetër absurditet. Pasaporta e vajzës vonohej shumë më tepër se normalisht. Kur kontaktuam komisariatin e Elbasanit, na u tha se një nga arsyet për vonesën ishte se oficeri që e kishte arrestuar Andresin ishte vetë arrestuar për një tjetër vepër penale.

Ky nuk është më vetëm një problem individual. Nuk është vetëm çështja pse një vajzë e trafikuar nuk merr dot pasaportën e saj. Ajo që ne kemi parë nga afër është se shteti shqiptar po dështon në mënyrë sistematike në mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Është po ky shtet që, nëpërmjet gojës së Kryeministrit, i fton punëtorët e huaj të vijnë e të punojnë në Shqipëri, por nga ana tjetër, nuk mendon fare për pasojat – për shfrytëzimin, për trafikimin, për mbrojtjen e tyre.

Shteti është inekzistent.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco