Policia e Vlorës ka arrestuar shtetasen italiane, pas aksidentit të rëndë rrugor që ndodhi ditën e djeshme në autostradën “100 Vjetori”, në afërsi të vendit të quajtur “Kripa”, Vlorë.
Policia bën të ditur se shtetasja A. T., 28 vjeçe, banuese në Napoli, u arrestua për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar automjetin e saj është përplasur me një kamionçinë tip “Benz”.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vend drejtuesi i kamionçinës, shtetasi F. H., 63 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, pas dëmtimeve të rënda, ka ndërruar jetë në spital edhe pasagjeri në këtë mjet, shtetasi D. M., 47 vjeç, gjithashtu banues në Vlorë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
© SYRI.net