Tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Fier, si rezultat i tre operacioneve të njëpasnjëshme, të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”.
Kledis Shermadhi 24 vjeç, Ardit Mehdiu 29 vjeç, dhe Emiseldo Fasko 22 vjeç, banues në Fier, akuzohen nga Gjykata e Riminit në Itali si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, dhe ndaj tyre është caktuar masa “arrest në burg”, me një dënim maksimal deri në 10 vjet.
Të tre të dyshuarit akuzohen se, gjatë periudhës qershor–dhjetor 2024, kanë bashkëpunuar për blerjen dhe shitjen e sasive të mëdha droge në qytetin e Riminit.
Procedurat për ekstradimin e tyre drejt Italisë janë në vijim.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohen 3 operacione të tjera nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohen operacionet policore të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”. Vihen në pranga 3 shtetas të cilët akuzohen nga autoritetet italiane, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara, kapën gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në qarkun e Fierit, 3 shtetas të kërkuar nga autoritetet italiane, konkretisht:
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në Fier;
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga A. M., 29 vjeç, banues në Fier;
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. F., 22 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Maksimumi i dënimit: 10 vjet burgim.
Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdhaja droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.
© SYRI.net