Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në panelin elektrik të një blloku pallatesh pranë Bulevardit të Palmave në qytetin e Lushnjës këtë mbrëmje, duke shkaktuar ankth dhe panik tek banorët dhe të afërmit e tyre.
Flakët nisën në sistemin elektrik të ndërtesës, ndërsa mungesa e energjisë bëri që ashensorët të dilnin jashtë funksionit, duke vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe policisë.
Zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll dhe të shuajnë flakët në kohë, por tymi i dendur i prodhuar nga djegia e plastikës dhe kabujve elektrikë e bëri situatën më të rëndë. Për pasojë, disa banorë që vuajtën nga probleme të frymëmarrjes u transportuan me urgjencë në spitalin e Lushnjës. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima.
Aktualisht, energjia elektrike nuk është rikthyer në bllokun e pallateve, ndërsa autoritetet konfirmojnë se nuk ka më persona në rrezik në apartamentet e prekura. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga specialistët e fushës.
© SYRI.net