Vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit në zonën pyjore të Pishë-Poros, Vlorë, ku prej ditës së djeshme janë aktivizuar disa vatra zjarri që kanë marrë përmasa të konsiderueshme.
Zjarri është përhapur me shpejtësi në një terren ranor, i ndihmuar nga era e fortë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
Nga pamjet e siguruara, shihet se banorët e zonës, së bashku me zjarrfikësit, po përballen me flakët duke përdorur mjete rrethanore, si lopata dhe duke hedhur dhe, për të penguar përhapjen e zjarrit. Kjo ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe e rrezikshme vjen si pasojë e mungesës së aksesit të mjeteve të specializuara në zonat ranore dhe të mbuluara me pisha.
Ndërkohë, ka nisur sërish sot ndërhyrja nga ajri me helikopter, në përpjekje për të shuar flakët.
© SYRI.net