Zbardhen detaje tronditëse nga vrasja e Anesti Ramës, në fshatin Frashër të Fierit. Prokuroria e këtij qyteti, me anë të një njoftimi për mediat, tregoi se 56-vjeçari u vra nga vajza dhe bashkëshortja, ndërsa pas kryerjes së krimit, nënë e bijë e pastruan të ndjerin dhe e veshën gati për ritet mortore. Pasi kryen pastrimin dhe veshjen e trupit të viktimës, ato njoftuan policinë se i afërmi i tyre kishte gjetur vdekjen pasi ishte rrëzuar në tualet. Por nënë e bijë, së bashku me personin e tretë të arrestuar për ngjarjen, nuk e fshehën dot krimin për shkak se viktimës i kishin shkaktuar dëmtime të shumta në trup.
Një javë pas krimit të rëndë, që tronditi fshatin Frashër në Fier, ka reaguar Prokuroria e qytetit duke treguar detaje nga ngjarja e rëndë. Sipas Prokurorisë, në datën 23 korrik, në sallën operative të policisë së Fierit, rreth orës 21:16 minuta, u bë një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër. Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier ka shkuar në banesën e shtetasit Anesti Rama të cilin e ka gjetur të shtrirë në sallonin e banesës së tij, të veshur me kostum dhe këmishë. Sipas Prokurorisë, personeli mjekësor konstatoi se shtetasi Anesti Rama kishte humbur jetën dhe ka njoftuar Sallën Operative se “personi për të cilin kërkuan ndihmë mjekësore është i vdekur”.
Në këto rrethana, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor. Nga këqyrja e jashtme e trupit të të ndjerit, u konstatua se ai kishte çarje në pjesën ballore, çarje mbi vetull, një dërrmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera. E bija e të ndjerit, shtetasja Emalinda Rama dhe bashkëshortja e tij, shtetasja Valbona Rama, i deklaruan grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur, kishin njoftuar fqinjët se ky shtetas ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia.
Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive të hetimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Emalinda Rama dhe i shtetases Valbona Rama, si dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit Çlirim Dogani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Për të tre këta shtetas, gjykata e Fierit pak ditë më parë la në fuqi masat e sigurisë të arrestit me burg, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
© SYRI.net