Prokuroria e Lezhës pushon dosjen për 4 hidrocentrale që do të ndërtohen në Kaçinar të Mirditës. Kallëzimi sipas organit të akuzës nuk ka elementë të veprës penale, teksa vet banorët kanë reaguar duke e cilësuar prokurorinë si palë të paligjshmërisë. Tashmë i takon gjykatës të vendos nëse do pushojë çështjen e dërguar nga prokuroria apo do të marrë një tjetër vendim
Syri TV
Për prokurorinë e Lezhës nuk ka asnjë vepër penale, as shpërdorim detyre dhe as falsifikim të dokumenteve në ndërtimin e 4 hidrocentraleve në zonën e Kaçinarit në Mirditë. Nga verifikimet dhe hetimet e kryera, organi i akuzës rrëzon banorët duke e çuar për pushim çështjen në gjykatën e Lezhës e cila do të marrë një vendim në lidhje me këtë dosje. Por pas këtij vendimi të prokurorisë kanë reaguar banorët e Kaçinarit të cilët kanë hedhur akuza në drejtim të prokurorisë duke u shprehur se është bërë palë me paligjshmërinë.
Koncesioni për ndërtimin e 4 HEC-eve të vogla në zonën e Kaçinarit në Mirditë është dhënë në vitin 2018 dhe pas rinovimit të lejeve kompania “Shpërdhaza Energji”, ka nisur punën në terren për zbatimin e këtyre projekteve. Banorët e fshatit Kaçinar të Mirditës kanë protestuar për pezullimin e punimeve të këtyre Hec-eve edhe përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ata pretendojnë se me këtë koncesion jo vetëm shkelet statusi i zonës së mbrojtur natyrore por dëmtohet bujqësia.
© SYRI.net