SYRI TV/ Skerdi Tase rrëfen 2 atentatet ndaj Aredin Beharit, Tase: U porositën nga Albert Pashaj

18:00, 15/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Skerdi Tase, bashkëpunëtori i tretë i drejtësisë për dosjen “Plumbi i Artë” ka rrëfyer disa nga ngjarjet kriminale ku ka marrë pjesë.

Tase rrëfen nga porositësit, bashkëpunëtorët e tij në krim dhe deri te pagesat e majme.
Bashkëpunëtori i tretë i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tase, ka dëshmuar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme pas 4 shtyrjeve të seancave gjyqësore. Dëshmia e tij nis me rrëfimin se si u bë atentati i parë ndaj tregtarit të naftës Aredin Beharit:

“Vendi ku do ekzekutohej s’kishte kamera dhe nuk na duhej makinë e vjedhur. Henriku më thotë: ‘Porositësi i punës po ankohet se shumë po e zgjasni.’ Ishte me 4-5 persona të tjerë në tavolinë shënjestra. Kur del, drejtoj armën ‘Skorpions’ dhe qëllova. Ai u shtri poshtë tavolinës, më pas u fut brenda lokalit, mendova se e godita. Pasi i qëllova 5-6 herë Aredin Beharit, 100 metra më tutje më pret Henriku. Shkuam te lokali i tij. Hedhim ‘Skorpions’-in në lumin Gjanica. Henriku më tha se Albert Pashaj ishte marrë në pyetje, emrin e tij e kishte nxjerrë Aredini. ‘Ç’punë ka ai të pyetet për diçka që e kemi bërë ne dhe s’e kryem dot,’ më thoshte Henriku. Viron Tavanxhiu, që me sa di merrej me prostitucion dhe drogë, në atë kohë ishte në kërkim për një vrasje në Itali. Edhe pse në kërkim nga Interpoli, nuk ruhej aq shumë sepse kishte njohjet e veta në Policinë e Shtetit, të cilat e njoftonin. Henriku më tha: ‘Pse e more përsipër kur s’e bëje dot?’ Jam larguar disa kohë në Itali.”

Dhe pikërisht gjatë kësaj periudhe, Skerdi Tase thotë se në Shqipëri ishte bërë plani për vrasjen e një tjetër personi, Agim Boriçit. Bashkëpunëtori ishte kontaktuar nga Viron Tavanxhiu:

“Viron Tavanxhiu me Agim Boriçin kishte një konflikt personal. Vironi kërkonte kontakt te shtëpia ime, ma kërkoi si nder vrasjen e Boriçit, më premtoi një hyrje në Fier dhe disa lekë, nuk kam marrë asnjë lekë sepse qëllimi nuk u arrit. Nga Henriku mësova se kishte marrë kontakt edhe nga Renato Çami (Saliaj) për ta kryer vrasjen e Agim Boriçit. Kemi ndejtur 8 muaj duke e ruajtur. Shkuam ta qëllonim te spitali, por nuk e gjetëm, ishte larguar. Pastaj shkuam te shtëpia e tij, e pamë duke pirë kafe me vëllain, tha Henriku: ‘Bëhu gati se qenkan të dy.’ Ndaluam para lokalit, fillova të qëlloj, më ngeci kallashi, Henriku gjuajti me një pistoletë deri sa i mbaruan fishekët, ata nuk i kapi asnjë fishek. Dogjëm makinën pas atentatit diku te shinat e trenit, u dogja edhe vet pak nga zjarri në fytyrë dhe duar, u larguam pastaj në shtëpi.”

Pentito rikthehet sërish te shënjestra e parë, pasi kërkohej me çdo kusht eliminimi i Aredin Beharit:

“Në 2019 më kontaktoi sërish Henriku që kishte marrë një tjetër punë, po për Aredin Beharin. Kishte marrë një kapar prej 4 mijë euro për armët, në total do merrnim 80 mijë euro. Sa doli nga lokali, Aredini po shkonte për te shtëpia në këmbë, iu afruam me makinë, kur ‘Riku’ qëlloi, pas 3-4 plumbave kallashi i ngeci, Henriku sërish më bëri fajtor mua: ‘Ku e gjete këtë kallash që ngec kështu,’ më tha. E dogjëm prapë makinën bashkë me kallashin dhe u larguam. Ika disa muaj në Gjermani. Me Henrikun u takova në 2020, kur ky ishte vënë në kontakt dhe me Nuredin Dumanin. Henriku më tha: ‘I ke parë 4 vrasjet në Durrës? Kam marrë pjesë dhe unë. Pse ike? Do kishe marrë ndonjë lek.’”

Dhe krimet nuk ndalen, rrethi i shënjestrave zgjerohet, gjithashtu edhe i autorëve dhe palëve të interesuara:

“Fillimisht mu ofrua të merrja pjesë në vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës. Morëm 5 mijë euro kapar diku në një fshat të Peqinit. Na treguan makinën që lëvizte, por ne nuk donim ta vrisnim, edhe kur e shikonim e anashkalonim. Nuredini e kuptoi pastaj, na u identifikua makina që e ndiqnim. Për Emiljano Ramazanin jepeshin 130 mijë euro. Makinën e atentatit e kishte siguruar Erion Alibej me Nuredin Dumanin. Henriku ishte shofer, e pritëm te pallati, sapo ai parkoi, zbrita nga makina, iu afrova e qëllova disa herë në kokë dhe në qafë me pistoletë. Dogjëm makinën dhe u larguam me makinën me qira që kishim ardhur nga Tirana, i ramë nga Rrogozhina, armën e krimit e lamë në një vend rrugës që e dinte Nuredini, pasi do vendosej diku për të akuzuar një person tjetër. Kam marrë 23 mijë euro për vrasjen, edhe pse sipas muhabeteve na binte nga 60 mijë. Lekët i ka sjellë një grua, ‘Klara’, Henriku ma tha emrin e saj.”

Edhe në shpërthimin me tritol në shtëpinë e Talo Çelës, Skerdi Tase pranon autorësinë. Lënda prej 2 kilogramësh erdhi nga Fushë-Kruja përmes Besian Xhixhës, por shpërthimi nuk shkoi sipas planit. Për këtë ngjarje Tase tha se mori 3 mijë euro. Në fund, Skerdi Tase flet edhe për atentatin ndaj Lulzim Mashës në Tiranë, tashmë e njohur për mënyrën se si u krye. Pentito konfirmoi se shënjestër ishte i biri, por në pamundësi të kapjes së tij, u vendos të vritej Masha. Fatmirësisht ky i fundit i shpëtoi sulmit. Dine Çami dhe Oti Kile ishin gjithashtu në listën e zezë të eliminimeve nga grupi kriminal.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco