Trafik droge me postë nga SHBA në Shqipëri, si u zbulua ngarkesa në kutitë e rrobave? Agjentët u...

Trafik droge me postë nga SHBA në Shqipëri, si u zbulua ngarkesa në kutitë e rrobave? Agjentët u...

14:44, 20/03/2024
A+ Aa A-

Detaje nga operacioni ku u arrestua një ri dhe një tjetër u shpall në kërkim pasi trafikonin kanabis me postë nga SHBA drejt vendit tonë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se droga vinte me postë nga Atlanta në SHBA drejt vendit tonë duke u futur në kutia kartoni të cilat përdoreshin për të futur rroba, të cilat vinin me postë nga SHBA drejt Shqipërisë.

Trafikantët kishin përdorur si kamuflim tregtinë e rrobave. Pas marrjes së infromacionit Antidroga e Tiranës nisi hetimet për kapjen në flagrancë të autorëve të trafikut të drogës. Agjentët e Antidrogës u prezantuan si punonjës të postës duke çuar dërgesën te porositësit dhe arrestuan në flagrancë një 27-vjeçar dhe shpallën në kërkim një 21-vjeçar.

Policia sekuestroi edhe lëndën narkotike rreth 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC. Ky lloj kanabisi kushton rreth 10 mijë dollarë kilogrami.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “Atlanta”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar.

Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Sekuestrohen 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Atlanta”.

Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Për këtë rast u vu në pranga shtetasi I. S., 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit F. L., 21 vjeç.

Këta shtetas kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.

Në cilësi e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco