Plagosja/ Dëshmia e Kalemit, ndihmë për policinë që të shkojë drejt identifikimit të autorëve...

Plagosja/ Dëshmia e Kalemit, ndihmë për policinë që të shkojë drejt identifikimit të autorëve...

10:24, 14/01/2024
A+ Aa A-

Dëshmia paraprake e Zamir Kalemit që mbeti i plagosur nga një atentat të premten e kaluar, ka dhënë indicie me vlerë për grupin hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes. 35-vjeccari u pyet paraprakisht nga Policia e Tiranës lidhur me dinamikën e ngjarjes por edhe dyshimet që ai mund të kishte mbi agresorët. Burimet konfirmojnë pwr Syri tv se Kalemi nuk ka përmendur emër apo emra konkret, por ka dhënë indicie me vlerë për policinë që të shkojë drejt identifikimit të autorëve.

I plagosuri ka rrëfyer me detaje zonat ku ka lëvizur ditët e fundit, oraret dhe personat me të cilët është takuar. Nisur nga kjo shërbimet e departamentit të krimeve pranë DVP Tiranë, kanë nisur kontrollin në terren dhe sekuestrimin e pamjeve filmike në zonat ku ka lëvizur i riu. Në këtë mënyrë, blutë kërkojnë konstatimin e automjetit të përdorur në ngjarje, ndjekjen  e lëvizjeve të tij apo personave të tjerë që mund të kenë qenë në rolin ndihmës, qoftë për sigurimin e informacioneve por edhe për dhënien e ndihmës për tu larguar nga vendi i ngjarjes pas krimit. 

Zamir Kalemi mbeti i plagosur më 12 janar në zonën e Selitës në Tiranë, teksa u qëllua nga të paidentifikuar, kur ishte duke lëvizur me automjetin e tij. 35-vjeccari mori plumba në shpatull dhe në këmbë pavarësisht se bëri përpjekje për t’ju shpëtuar agresorëve. Në këtë përpjekje kur konstatoi se nga një makinë paralele po qëllohej në drejtim të tij, për t’iu shmangur plumbave u përplas me barrierën anësore të rrugës. Pas ngjarjes autorët dogjën automjetin në zonën e Bërzhitës teksa në brendësi të tij u gjet një armë zjarri kallashnikov. Targat e makinës në fjalë rezultojnë të vjedhura rreth 6 vite më parë në kryeqytet teksa po kryhen verifikime nëse edhe automjeti ishte po ashtu i vjedhur ose jo.  Zamir Kalemi është vëllai i Adriatik alias Andrea  Kalemit, dhe ky i fundit ka qenë disa herë shënjestër e atentateve në Greqi.

Ata rezultojnë kushërinj të afërt me Aleksandër Sadikajn i cili u ekzekutua me tritol në Tiranë në qershor të 2022. Kalemi është hetuar për vrasjen e Edmond Papës, teksa ky i fundit dyshohet se u ekzekutua si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e qershorit. Për vrasjen e Sadikajt ende nuk ka autor në pranga, ndërsa për Papën po gjykohen 2 prej tyre, Andrea Bode dhe Albano Velo. Zamir Kalemi ka qenë arrestuar në vitin 2020 për përfshirje në lojëra të paligjshme të fatit. Burime pranë bluve të kryeqytetit përmendin dy pista kryesore ku po hetohet ngjarja e të premtes, ajo e hakmarrjes për shkak se të dyshimeve si i përfshirë në ekzekutimin e Papës, si dhe pista e dytë që përfshinë të vëllanë, ajo e vrasjes së dy personave në Belgjikë. Vatra e hakmarrjeve kriminale me pasojë edhe jetë njerëzish tashmë, dyshohet të jetë aktiviteti kriminal i drogërave që kishin si linjë trafiku, Turqinë, Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco