BIRN: SPAK nis gjuetinë ndaj bandave e që dalin në përgjimet e SKY dhe EncroChat

BIRN: SPAK nis gjuetinë ndaj bandave e që dalin në përgjimet e SKY dhe EncroChat

17:30, 17/05/2024
A+ Aa A-

Të dhënat e siguruara në aplikacionet e koduara ose të sigurta SKY dhe EncroChat, kanë mundësuar ngritjen e akuzave të reja nga SPAK kundër personazheve të krimit të organizuar, për ndalimin e të cilëve dhe sigurimin e provave të reja ndaj tyre, është duke u zhvilluar një operacion në zona të ndryshme të vendit.

Nga Edmond Hoxhaj-BIRN

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK mësohet të jetë duke kryer prej mëngjesit të të premtes një operacion të shtrirë në disa qarqe të vendit për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve ndaj personave të përfshirë në krimin e organizuar, të dyshuar si autorë të ngjarjeve të rënda.

Deri pasditen e të premtes më 17 maj, burime nga SPAK pohuan për BIRN se operacioni është ende duke u zhvilluar me qëllim ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, si dhe për sigurimin e provave të reja gjatë kontrolleve.

Sipas SPAK, në përfundim të operacionit në orët në vijim, publiku do të informohet për të dhënat e këtij hetimi, që mësohet se bazohet në të dhënat e siguruara nga autoritetet e drejtësisë franceze prej përgjimeve të platformave të koduara SKY dhe EncroChat.

Bazuar në të njëjtat burime, SPAK finalizoi një operacion tjetër në korrik të vitit 2023, duke vendosur në pranga biznesmenin Pëllumb Gjoka, i shpallur nga qeveria ‘Rama’ si investitor strategjik, dy zyrtarë të Policisë së Shtetit, një prej të cilëve Oltion Bistri, ish-shefi i Drejtorisë së Forcës Operacionale, prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, si dhe persona të tjerë.

Projekti ‘strategjik’ i Gjokës planifikonte investimin e 52 milionë eurove në një zonë të virgjër në plazhin e Velipojës në Shkodër, në shkëmbim të së cilit, shteti shqiptar angazhonte burimet e taksapaguesve për të siguruar furnizim me ujë, drita, kanalizime e shërbime të tjera publike.

Por dosja htimore e ardhur nga Franca në drejtësinë shqiptare, bëri që ai të arrestohej si figurë kyçe e një grupi të krimit të organizuar, përgjegjës për vrasje dhe porositje atentatesh si dhe për korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë.

Të dhënat e konstatuara nga këto hetime për përfshirjen e zyrtarëve të policisë në krimin e organizuar, u bë shkak për përfshirjen në formularët e vetëdeklarimit për policinë të një pyetjeje në lidhje me përdorimin e aplikacioneve të mesazheve të koduara ose të sigurta SKY dhe Encrochat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco