Granata e dorës në tregun e Prizrenit, pesë nga të lënduarit dërgohen në QKUK

Granata e dorës në tregun e Prizrenit, pesë nga të lënduarit dërgohen në QKUK

10:18, 22/11/2023
A+ Aa A-

Pesë nga të lënduarit në tregun e kafshëve në Prizren janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas hedhjes së një granate dore në orët e para të së mërkurës.

Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, ka konfirmuar për KOHËN se katër të tjerët janë liruar për në shtëpi.

“Fillimisht, kanë ardhur nëntë persona. Më pas, ka ardhur edhe një. Katër prej tyre janë liruar, pesë janë dërguar në QKUK pasi kanë pas lëndime që s’trajtohen në Spitalin tonë”, ka thënë Veçgishti.

Nëntë persona janë lënduar nga shpërthimi i një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren në mëngjesin e së mërkurës, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Sot me datë 22.11.2023, rreth orës 04:50, Policia ka pranuar informatë për një rast plagosje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se 9 persona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore. Të gjithë të lënduarit janë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit duke marrë trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre te dyshuar janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco