Kanadaja i heq liçencën Luftar Hysës pas hetimeve për lidhje me kartelet meksikane

Kanadaja i heq liçencën Luftar Hysës pas hetimeve për lidhje me kartelet meksikane

14:45, 14/11/2023
A+ Aa A-

Një muaj më parë, Komisioni i Bixhozit në Kahnawake vendosi të refuzojë liçencën si person kyç të Luftar Hysës. Vendimi erdhi pas një investigimi të publikuar në gazetën La Presse, që e lidhte Hysën me kartelet meksikane të drogës.  

“Më 4 tetor 2023, Komisioni i Lojërave Kahanawake njëzëri vendosi që z. Luftar Hysa ishte i papërshtatshëm për t’u licencuar nga Komisioni si person kyç. Vendimi i Komisionit pasoi një hetim të gjatë dhe të plotë të kryer nga agjentë të pavarur” thuhet në vendimin e Komisionit të Kahnawakes.

Territori Mohawk i Kahnawakes është një rezervat indigjenësh në jug të Montrealit në Kanada. Në vitin 2019 në këtë zonë hapi dyert Magic Palace, një ambient i madh lojrash fati.  Brenda ambientit gjendet dhe restoranti Mirela, i cili zotërohet nga biznesmeni shqiptar Luftar Hysa.

“Komisioni aktualisht është duke shqyrtuar informacionin shtesë që është sjellë së fundmi në lidhje me rolin e mëparshëm të zotit Hysa në operacionet e Magic Palace dhe në bashkëpunim me Këshillin Mohawk të Kahnawake dhe Paqeruajtësit Kahnawake, do të merren masa të tilla shtesë që janë të nevojshme për të siguruar integritetin e industrisë së lojrave të fatit në Kahnawake,” vijon vendimi i Komisionit të Lojrave të Fatit.

Një javë pas këtij vendimi Magic Palace deklaroi se kishte përfunduar çdo marrëdhënie me zotin Hysa.

Hetimi

Në fillim të muajit të kaluar gazeta La Presse në Kanada publikoi një investigim me titull “Hija e nja karteli të fuqishëm mbi një kazino”, ku citonte një dosje hetimore të Xhandarmërisë Mbretërore të Kanadasë.

“Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga La Presse, Xhandarmëria beson se Luftar Hysa riciklon para nga trafikantët meksikanë dhe se ai përdor një kazino në Kahnaëake për ta bërë këtë” shkruan gazeta.

Më tej La Presse zbulon edhe dëshmi nga dosja. “Gjithçka tregon se Luftar HYSA depërtoi në rezervimin indian Kahnawake për të lehtësuar aktivitetet e pastrimit të parave në emër të kartelit meksikan Sinaloa, si dhe për llogari të tij,- thotë një hetues policie në një denoncim nën betim të paraqitur në gjykatën e Montrealit.”

Sipas La Presse, në denoncimin e paraqitur para gjykatës, Xhandarmëria përmend se një pjesë e fondeve të transaktuara nga Magic Palace duket se rrëshqasin në të çara.

“Qendra e Analizës së Transaksioneve Financiare dhe Raporteve të Kanadasë (FINTRAC), ngriti një flamur të kuq në mars 2023 në lidhje me “aktivitetet e mundshme” të pastrimit të parave, veçanërisht në Rezervën Indiane Kahnawake. Një raport nga ky institucion targeton Luftar Hysën, por edhe kompaninë e tij të ndërtimit në Shqipëri, Valona Konstruksion, si dhe sipërmarrësin Mohaëk Stanley Myioë, i cili paraqitet si pronar i Pallatit Magjik,” vijon shkrimi i La Presse.

Sipas gazetës, raporti i FINTRAC përmend një sërë transaksionesh që konsiderohen të dyshimta ku përfshihen dhe transferta drejt Shqipërisë, përfshirë drejt kompanisë Valona Konstruksion, për të cilën institucioni kundër pastrimit të parave në Kanada thotë se është e zotit Hysa. Valona Konstruksion është një kompani e themeluar në vitin 2002 me pronar biznesmenin Besnik Lulaj. Kjo kompani përfiton tendera publikë në Shqipëri dhe zotëron licenca kazinoje në Shqipëri.

Restoranti Mirela, të cilin Hysa thotë se e zotëron, dërgoi 28 milionë dollarë në Shqipëri, Meksikë, Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Itali në më pak se një vit, nga viti 2019 deri në vitin 2020. Stanley Myiow dhe kompania e ndërtimit të familjes Hysa në Shqipëri përmenden në “më shumë se 50 raporte të aktiviteteve të dyshimta” nga FINTRAC, me një vlerë totale prej 28 milionë dollarësh kanadezë,” citon gazeta raportin e FINTRAC.

Gazeta la Presse thotë se tentoi të kontaktonte me zotin Hysa, por nuk arriti të merrte dot një përgjigje nga ai për akuzat e ngritura nga Xhandarmëria Mbretërore.

Zhurma në Shqipëri

Në Shqipëri emri i zotit Hysa u bë publik në shtator të vitit të kaluar, kur një gazetë meksikane publikoi një artikull, që e lidhte atë me kartelin e Sinaloas. Pas publikimit të shkrimit edhe në mediat shqiptare, televizioni MCN publikoi fotot ekskluzive ku zoti Hysa shfaqej duke dalë nga zyra e kryeministrit Edi Rama së bashku me ish deputetin e CDU-CSU Mark Hapuman, biznesmenin Besnik Lulaj dhe ish këshilltarin e kryeministrit Dorian Duçka.

Menjëherë pas publikimit të fotove, opozita akuzoi publikisht kryeministrin Edi Rama për lidhje me kartelet e drogës. Por kryeministri reagoi duke e quajtur shkrimin e gazetës meksikane si një copë e neveritshme letre.

“Me një copë letër, me një copë letër, e neveritshme që një familje shqiptare kryqëzohet pa e pyetur fare dhe e lidhin me njeriun me një nga kartelet më të mëdha të botës, që ka pasuri sa GDP e Gjermanisë dhe që pastron paratë në një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë. Nuk e di si bëhet kjo, ngri e uli trafikantë, ngri e uli kriminelë, ju qofshi, unë jam krejt i pafuqishëm për të bërë gjë,” deklaroi Rama.

Më tej kryeministri shtoi se ai nuk kishte lidhje me asnjë kartel.

“Unë nuk njoh kartel, nuk kam lidhje me asnjë aktivitet illegal, unë nuk jetoj për të ngrënë e për të jashtënxjerrë, kshu që ju kam lënë zotin të gjithë atyre që përfshihen në këto vrulle të paimagjinueshme sulmesh që shkatërrojnë familje, nerva, fëmijë e gjithçka. Doli një artikull atje e mbushet gjithë rrjeti i kanaleve të llumhaneve këtu me një llum që nuk e di,” iu përgjigj Rama akuzave.

Nga ana tjetër vetë zoti Hysa ka mohuar çdo akuzë për lidhje me kartelet. “Një njeri nga Belshi të merret me kartelin e Sinaloas. Të kem takuar unë El Mayo?  Të merrem unë me kartele? Unë bëj vetëm biznes të ligjshëm. Çfarë ndodh? Absolutisht jo. Të merresh nga Shqipëria se një kartelë do fus lekë, është një pikë në oqean,” deklaroi ai në Opinion duke akuzuar se sulmi po i vinte nga konkurrentët në biznes./kapitali

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco