SYRI TV/ Zbardhet dosja hetimore për efektivët e Shkodrës, uniformat blu informonin trafikantët

14:51, 27/06/2023
A+ Aa A-

Syri Tv ka zbardhur dosjen hetimore të Prokurorisë së Shkodrës për efektivët e arrestuar të cilët akuzohen se informonin trafikantët e drogës për kontrollet që do të kryeheshin në parcelat e tyre. Efektivet vononin me qëllim gjetjen e parcelave, për ti dhënë kohë grupeve kriminale që ti shpëtonin arrestimit. Në një rast dekonspiruan aksionin, ku të pakten 80 gra ishin larguar me shpejtësi pak minuta përpara mbërritjes së tyre.

SYRI TV

Prokuroria e Shkodrës dyshon se një numër i konsiderueshëm punonjësish të policisë kanë favorizuar trafikantët e hashashit, të cilët kultivonin sasi të mëdha kanabis sativa në të paktën tre fshatra të Malësisë së Madhe.

Pak ditë më parë, prokurorët dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore njoftuan se janë marrë masa pezullimi nga detyra apo arrest në shtëpi për të paktën 13 zyrtarë të unformave blu të qytetit verior, përfshirë nëndrejtorin e Policisë së Qarkut, Hajri Kushe.

Në dosjen hetimore të parë nga ‘Syri Televizion” thuhet se ka të dhëna dhe dyshime të forta se punonjësit e policisë jo vetëm nuk kanë përmbushur detyrën, por edhe kanë favorizuar elementët kriminalë.

“Zyrtarët e policisë dyshohet se kanë bashkëpunuar me kultivuesit e hashashit, duke u siguruar atyre informacione në lidhje me ndërhyrjet që do të kryente policia në zonat e tyre, me qëllim marrjen e masave për heqjen e drogës dhe zhdukjen e gjurmëve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Shkodrës. Në vijim, prokurorët dyshojnë se punonjësit e policisë, me dashje, kanë shmangur kontrollet në koordinatat e pasqyruara në informacionet e institucioneve ligjzbatuese, duke devijuar operacionet në territore të tjera e duke u dhënë në këtë mënyrë trafikantëve kohën e duhur për të hequr lëndën narkotike.

Për raste të tilla, punonjësit e policisë janë justifikuar, duke deklaruar se nuk kanë pasur internet dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë koordinatat e duhura të parcelave me hashash, edhe pse ato ishin ne krah te rrugeve në zonën e Anës së Malit.

Në një rast tjetër të identifikuar në dosjen hetimore, rezulton se një operacion policor është dekonspiruar, pasi në vendngjarje u gjetën krevate dhe gjurmë të tjera, të cilat sugjeronin që aty kishin qenë pak më parë rreth 80 gra, të cilat përpunonin hashashin.

Të dhënat tregonin se ato ishin larguar me urgjencë, pak para mbërritjes së policisë.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco