Zhdukja e dyfishtë në Sarandë/ Familjarët hidhen në protestë, prokuroria kritikon median

Zhdukja e dyfishtë në Sarandë/ Familjarët hidhen në protestë, prokuroria kritikon median

12:12, 02/05/2023
A+ Aa A-

Familjarët e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit dolën sot në protestë përpara godinës së Policisë së Shtetit në Tiranë.

Ata kërkojnë angazhimin e forcave të rendit për të gjetur njerëzit e tyre, të zhdukur prej javësh të tëra në Sarandë.

Familjarët akuzuan shtetin se nuk po vepron për të zbardhur krimin e rëndë.

Disa prej tyre thanë se kërkojnë të paktën vetëm trupat, nëse janë vrarë.

Por në një reagim publik, Prokuroria e Sarandës nuk u dha ndonjë përgjigje konkrete shqetësimeve të familjarëve, por kritikuan median për lajmet që ka publikuar.

“Duke vlerësuar se parësore në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese, është ushtrimi i ndjekjes penale dhe zbulimi i autorëve të veprës penale, Prokuroria Sarandë konstaton me shqetësim se informacionet e fundit mediatike të datës 01 maj 2023, nuk i shërbejnë zbulimit të së vërtetës, madje as edhe nuk i ndihmojnë organet ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt të saj.

Gjithashtu, organi i akuzës vlerëson se nuk është as edhe në interesin publik, publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe që nuk janë shpërndarë ligjërisht nga autoritetet kompetente. Vlerësojmë se ekspozimi në media apo rrjetet sociale i deduksioneve personale nga cilido që mund të vijë në posedim të informacioneve të ndryshme të marra konfidencialisht nga persona që e përfitojnë informacionin për shkak të detyrës, jo vetëm që cenon rëndë veprimtarinë hetimore por i vendos edhe personat e ndryshëm të përfshirë ose jo në ngjarjen konkrete në situata jo reale dhe të panevojshme në raport me interesin e familjarëve të viktimave nga vepra penale, në raport me interesin publik por edhe në raport me vetë autoritetet hetimore.

Duke e mirëkuptuar interesin e mediave për informimin e publikut, organi i akuzës kërkon angazhimin e tyre për mosekspozimin e informacionit të paverifikuar dhe të panevojshëm me qëllim që ky interes të mos prevalojë mbi interesin e hetimeve të ngjarjes, por as edhe mbi sigurinë publike,” thuhet në deklaratë.

Një ditë më parë, gazetari Artan Hoxha raportoi se pas zhdukjes së dy personave në Sarandë, qëndron i njëjti grup kriminal që ekzekutoi Aleksandër Sadikajn.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco