VIDEO-SYRI TV/ Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj: Politikë, biznes apo gjakmarrje?

16:33, 22/04/2023
A+ Aa A-

Për vrasjen e biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj, pikëpyetja më e madhe që është ngritur është nëse ka motive politike apo biznesi, teksa versione të shumta janë ngritur dhe rënë mbi shkakun e ngjarjes. Burime kofidenciale, thonë se nuk është përjashtimore asnjëra, teksa dyshohet për një ndërthurje mes të dyjave. Autoritetet nuk ngurrojnë të konfirmojnë një nga versionet e ngjarjes, pistën e gjakmarrjes, por janë të rezervuar sa i përket versionit të dominimit lokal mbi investimet dhe politikën.

SYRI TV

Politikë apo biznes? Profesionizmi, dinamika dhe mungesa e gjurmëve për atentatin që i mori jetën biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj, ka gjasa t'i bashkojë të dyja. Në radhët e politikanëve lokalë, edhe nga zona të tilla si e Lezhës, që kanë ardhur në faza të caktuara edhe në qendër, janë shënuar edhe më parë krime të tilla mafioze, gjurmët e të cilave nuk janë zbardhur kurrë.

Burime konfidenciale thonë se pavarësisht mungesës së provave apo edhe sensitivitetet që ka dosja e nxehtë me emrin “Vrasja e Ardian Nikulaj”, nuk janë përjashtimore as politika dhe as biznesi, duke përfshirë edhe ndërthurjen mes të dyjave. Asnjë person konkret që mund t'i drejtohet gishti i akuzës. Ky është rezultati hetimor zyrtar deri më tani.

Policia ka një identikit të përafërt të autorit, por jo identitet që ta lidhë me të, gjë e cila ka krijuar dyshimet se kanë të bëjnë me vrasës me pagesë. Mbi versionin se ai mund të jetë edhe shtetas i huaj, burimet thonë se bie, për aq kohë sa të paktën dy nga dëshmitarët okularë të ngjarjes, kanë dëshmuar se në pak fjalë që autori ka komunikuar, konstatohet gjuha shqipe dhe theksi nga zona e veriut. Por kjo nuk përjashton mundësinë që shtetas të huaj të kenë qenë pjesë e operacionit të eliminimit. Për këtë, po tentohet t'i shkohet deri në fund përcaktimit të një shtetasi të huaj që kishte prenotuar prej disa kohësh në Shëngjin, dhe pak orë pas ngjarjes, ka lënë Shqipërinë përmes aeroportit të Rinasit. Prokuroria e Lezhës nuk e konfirmon as se mohon që ka nisur apo që pritet të nisë ndonjë letërporosi ndaj autoriteve të një vendi europian.

Nga ana tjetër, dëshmitarët nuk japin dëshmi me vlerë për hetimin, ku përveç tipareve që duken edhe në pamjet filmike, nuk kanë konstatuar ndonjë element identifikues. Lidhur me të njëjtin version, pavarësisht kontrollit të imtësishëm të sistemeve në pikat kufitare, nuk është konstatuar deri më tani ndonjë element i dyshimtë.

Autori ka kryer punë të pastër, duke u treguar i kujdesshëm si për sa i përket objektivit, duke e gjetur në befasi sado që ruhej, ashtu edhe për autoritetet. Maska kirurgjikale, dorashkat në duar, skafandra në kokë dhe një targë e huaj që nuk figuron në asnjë sistem, me shumë gjasë e falsifikuar e motoçikletës, janë enigma që kanë zënë ngusht edhe Policinë e Lezhës, Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme apo Prokurorinë e qytetit bregdetar. ‘Ardian Nikulaj mund të jetë vrarë për gjakmarrje ose për konflikte në të shkuarën që kanë qenë jo të pakta’, thonë burime, që janë pjesë e hetimeve dhe që insistojnë në tjetër version.

Por pavarësisht pyetjes së një sërë personave që kanë patur konflikte me viktimën apo familjarë të tij, si dhe kryerjes së veprimeve hetimore rreth tyre, nuk ka konkluzione. Ata kanë pohuar madje se janë gati të përballen me familjen Nikulaj për t’i garantuar se nuk kanë gisht.

Me dhjetëra persona janë pyetur, disa janë mbajtur edhe për orë të tëra në zyrat e hetuesisë, por të gjithë janë të lirë. Policia po i kushton rëndësi survejimit të disa personave, me të gjitha opsionet ligjore, për të gjetur një gabim të mundshëm të autorit/ve, qoftë në komunikim apo veprime konkrete.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco