I riu mbajti peng dhe dhunoi të dashurën/ Motra e agresorit dërgoi vajzën në spital, kunati e ndihmoi të arratiset…

I riu mbajti peng dhe dhunoi të dashurën/ Motra e agresorit dërgoi vajzën në spital, kunati e ndihmoi të arratiset…

10:26, 17/04/2023
A+ Aa A-

Jeta e një të reje është shpëtuar nga kthetrat e krimit, teksa ishte rrëmbyer, mbajtur peng dhe dhunuar në mënyrë barbare në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë.

Vajza, vetëm 28 vjeç, është shpëtuar falë motrës së agresorit, e cila ka mundur ta nxjerrë orëve të vona të së shtunës vajzën në gjendje kritike për jetën për shkak të hematomave të shkaktuara nga dhuna sistematike e ushtruar mbi të prej më shumë se një jave. Policia, me informacion të saktë është vënë shpejt në lëvizje, duke sjellë në pranga jo vetëm dhunuesin, por edhe katër persona të tjerë, ku mësohet se të gjithë kanë qenë në dijeni të aktit të rëndë që ushtronte shoku i tyre ndaj një vajze të mbyllur në një hyrje në katin e pestë të një pallati.

Ngjarja

Gleard Gusholli, 31 vjeç, u arrestua këtë të diel nga efektivët e Komisariatit nr. 2 në kryeqytet pasi dhunoi në mënyrë barbare dhe mbajti peng për një javë bashkëjetuesen e tij 28-vjeçare në afërsi të zonës së ish-Parkut të Autobusëve, në rrugën “Frosina Plaku”. 31-vjeçari, nuk ishte i vetëm në “çmendurinë” e tij barbare, por u ndihmua edhe nga 4 persona të tjerë për t’u fshehur dhe prishur provat në vendin ku e reja u mbajt e dhunua në mënyrë sistematike për një javë, të cilët u arrestuan.

Besmir Nurçellari, 37 vjeç, nga Skrapari, Arian Sheta, 41 vjeç, nga Tirana, Bledi Kateshi, 28 vjeç dhe Erlind Kateshi, 33 vjeç, vëllezër, nga Tirana, u prangosën bashkë me 31-vjeçarin Gusholli në operacionin “Locked”. 28- vjeçarja u dërgua fillimisht në një klinikë private pranë Komisariatit nr. 2 nga dy vajza, njëra prej të cilave rezultoi të ishte motra e agresorit Gusholli, e cila dërgoi më pas hetuesit në banesën ku vajza u mbajt peng dhe u dhunua.

Vajza më pas u dërgua në Spitalin e Traumës për ndihmë më të specializuar pasi gjendja e saj ka qenë kritike, e goditur, rrahur dhe gjakosur në të gjitha pjesët e trupit. Gjatë kontrollit në banesën ku e reja u mbajt dhe dhunua për ditë me radhë, Policia gjeti dhe sekuestroi kokainë dhe mjete që përdoren për konsumimin e kësaj lënde narkotike. Si provë materiale Policia gjeti edhe një këmbë karrigeje, me të cilën dyshohet se 31-vjeçari dhunoi barbarisht të renë që kishte disa kohë që kishin krijuar marrëdhënie intime.

Policia

Pas avancimit të hetimeve, hetuesit e Komisariatit nr. 2 kuptuan se njëri prej djemve që e kishte ndihmuar të arratisej Gushollin dhe të largohej nga vendi i ngjarjes ishte kunati i tij, burri i motrës që fillimisht me shoqen e saj dërgoi për ndihmë mjekësore vajzën e re të dhunuar. Pas disa orë kërkimesh, më në fund 31- vjeçari Gleard Gusholli u lokalizua rreth e qark lagjes në afërsi të Zogut të Zi dhe u vu në pranga.

Ai është marrë në pyetje nga Policia dhe në deklarimet e para ka thënë se e ka bërë prej xhelozisë që kishte për të renë 28-vjeçare, por nuk ka dhënë detaje të tjera më të plota. Njëra prej vajzave që e ka dërguar në klinikën private ka qenë motra e agresorit, e cila është marrë në pyetje nga Policia dhe i ka dërguar në banesë ku vajza është mbajtur dhe dhunuar për ditë me radhë. Sipas të dhënave, mësohet se Policia ka nisur hetimet intensive për të mësuar gjithçka ka ndodhur mes palëve, ndërkohë që është bërë me dije se dy të rinjtë kishin rreth një vit që ishin në një lidhje.

Nuk dihet arsyet e atij akti kriminal, por do të jenë të arrestuarit si dhe dy vajzat që u bënë protagoniste të shpëtonin të dhunuarën që do të hedhin dritë. Veç pengmarrjes, plagosjes me dashje, moskallëzimit të krimit dhe dhënies së ndihmës për autorin e krimit, Prokuroria pritet të hetojë 5 të arrestuarit edhe për mbajtje dhe shitje lëndësh narkotike. Ata priten të lihen në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve dhe sigurimit të dëshmisë së vajzës së dhunuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco