Sistemi i ri i kontrollit kufitar në BE, me shenjat e gishtave, shtyhet edhe disa muaj

Sistemi i ri i kontrollit kufitar në BE, me shenjat e gishtave, shtyhet edhe disa muaj

08:43, 18/01/2023
A+ Aa A-

Një sistem i ri i IT i kontrollit kufitar të BE-së që ngjalli frikën e radhëve të pushimeve verore në Dover është shtyrë sërish. Sistemi i Hyrje/Daljes duhej të prezantohej në fund të majit, pasi ishte shtyrë njëherë nga viti i kaluar.

Një afat i ri do të synojë ta fusë këtë teknologjinë në fuqi deri në fund të vitit 2023, njofton BBC.

Sipas skemës, njerëzit që hyjnë në bllok nga shtetet që nuk janë anëtare të BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, do të duhet të regjistrojnë shenjat e gishtërinjve dhe një foto me detajet e pasaportës së tyre.

Pasi udhëtarët të kenë dhënë shenjat e gishtave dhe të dhënat e tyre, ai regjistrim do të jetë i vlefshëm për tre vjet. Gjatë asaj kohe duhet të vërtetohet sa herë që dikush kalon kufirin. Kjo do të zëvendësojë vulosjen e pasaportës.

Porti i Doverit paralajmëroi më parë se koha e marrë për regjistrimin fillestar në port mund të shkaktojë radhë. Shqetësim kishte shprehur edhe ish-shefi i Eurostar-it, i cili u largua në vjeshtë.

Të dhënat nga takimi i bordit të një agjencie të BE-së javën e kaluar thanë se afati i majit 2023 konsiderohej i paarritshëm, duke fajësuar vonesat e kontraktorëve.

Agjencia EU-LISA, e cila është e vendosur në Talin dhe merret me programe të mëdha të IT-së për bllokun, tani po planifikon një afat të rishikuar.

Një përmbledhje nga një takim të enjten e kaluar thoshte: "Pikat e kalimit kufitar duhet të pajisen plotësisht për përdorimin e Sistemit Hyrës/Daljes deri në fund të vitit."

Shqetësimet mbi vonesën

Kur vini nga Dover, hyrja në Francë kontrollohet nga oficerët e pasaportave në portin e Mbretërisë së Bashkuar. Në shtator, Doug Bannister, shefi ekzekutiv i Portit të Doverit, paralajmëroi se mund të duhen 10 minuta për të regjistruar një makinë me katër persona.

Ai paralajmëroi se sistemi dukej i projektuar për një mjedis aeroporti, në vend të njerëzve që udhëtonin me automjete, dhe porti kishte shqetësime për sigurinë rreth njerëzve që detyroheshin të dilnin nga automjetet e tyre në terminalin e ngarkuar.

Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha të martën se pasagjerët "nuk do të përjetojnë vonesa të panevojshme në kufi".

Qeveria "po punon nga afër me autoritetet e portit, operatorët dhe qeverinë franceze për t'u siguruar që pasagjerët të jenë të përgatitur", tha zëdhënësi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco