Vrasja e 31-vjeçarit kuksian/ Gjendet një kasafortë në banesën e 'Kobrës'

Vrasja e 31-vjeçarit kuksian/ Gjendet një kasafortë në banesën e 'Kobrës'

10:01, 06/01/2023
A+ Aa A-

Burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa oxhakut.

Sipas këtyre burimeve, kasaforta është zbuluar gjatë bastisjes së shtëpisë, ndërsa ajo nuk është hapur pasi për hapjen e saj duhet të zhvillohen disa procedura, përfshirë marrjen e disa urdhëresave dhe ftesën e Njësisë kundër Eksplozivëve.

Kasaforta, sipas burimeve, ishte e kamufluar në hapësirat prapa oxhakut në shtëpinë e Dibran Hoxhës.

Dibran Hoxha është i dyshuari kryesor për vrasjen që ka ndodhur në orët e mëngjesit të 3 janarit në lokalin e tij “Kobra City” në Prizren.

Një 31-vjeçar nga Kukësi, Visart Cengu ka vdekur si pasojë e plagëve me armë zjarri dhe një tjetër është plagosur nga arma me të cilën dyshohet se ka shtënë Dibran Hoxha.

Përveç Hoxhës, për këtë rast janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë. Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj për 6 të arrestuarit.

Drejtoria e Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës dhe Policia e Prizrenit kanë kryer dje bastisje të reja në lidhje me rastin tragjik. Gjatë bastisjeve në njërën prej pronave të të dyshuarve është gjetur një granatë dore dhe disa fishekë.

Po ashtu, në njërin prej vendeve të bastisura është gjetur edhe një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR), për të cilin dyshohet se është i lokalit ku ka ndodhur krimi. Por, kjo ende nuk është konfirmuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco