Aferat e pronave në Lalz/ SPAK zbardh rolin ‘Rrumit’ të Shijakut

Aferat e pronave në Lalz/ SPAK zbardh rolin ‘Rrumit’ të Shijakut

08:47, 02/12/2022
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur rolin e Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, në tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalëzit. Provat ndaj tij janë siguruar edhe nga mesazhet dhe bisedat e zhvilluara përmes aplikacionit të inkriptuar “Sky ECC”.

Ky aplikacion dhe “Enkro Chat” u zbërthyen nga Europol në vitin 2021, duke zbuluar lidhje të organizatave kriminale në mbarë Evropën dhe botën.

Burime nga grupi i hetimit thanë se Prokuroria ka arritur të sigurojë të dhëna rreth veprimeve të Lahos, mbi të cilat janë ngritur edhe akuzat nga SPAK-u, për “korrupsion” dhe “tjetërsim të pronave”, në zonën e Gjirit të Lalëzit. Javën e kaluar, Struktura Antikorrupsion i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Posaçme, për “arrest me burg”, ndaj Aleksandër Lahos, kërkesë që u pranua prej kësaj të fundit duke ia përcjellë Policisë urdhërarrestin për ekzekutim.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalëzit nisën disa muaj pas atentatit të vitit 2019.

Në telefonat e sekuestruar më herët nga ana e SPAK-ut për këtë ngjarje, u gjetën biseda, përgjime e video ku flitej për tjetërsimin e rreth 45 mijë m2 tokë në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Burime nga grupi hetimor kanë thënë se përveç tjetërsimit të 45 mijë m2 tokë, Aleksandër Laho dyshohet se është përfshirë edhe në tjetërsimin e 14 parcelave.

Kjo është masa e dytë e arrestit në mungesë ndaj këtij personi pasi disa muaj më parë, “Rrumi” u shpall në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë pas dëshmisë se vëllezërve Beqiraj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco