VIDEO-SYRI TV/ Vrau kolegun në Komisariat, mesazhet 'fundosin' ish-efektivin Ludjan Zaimi

17:41, 01/12/2022
A+ Aa A-

Amaneti për prindërit, dhe makina e ndezur në derë të komisariatit nr.3 në Tiranë, gati për tu larguar, fundosin ish-efektivin Ludjan Zaimi, i cili vrau në vendin e punës kolegun e tij, Çaush Saliasi. SYRI TV disponon dosjen e Prokurorisë, e cila ka ngritur akuzën e vrasjes për shkak të detyrës. Gjithashtu, përmes akt-ekspertimit psikiatriko-ligjor, Prokuroria nuk ka më dyshime, që vrasja ka qenë e paramenduar pasi i pandehuri ka qenë i vetëdijshëm për veprimin.

Nga SYRI TV

Kalon për gjykim ish-efektivi i Komisariatit Nr.3 Ludjan Zaimi, që vrau kolegun e tij Çaush Saliasin në ambientet e vendit të punës. Gjykata regjistroi çështjen me akuzën e ‘vrasjes me dashje e punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj’.

Kjo vepër penale ka një marzh dënimi  jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Gjykata nuk pranoi gjykimin e shkurtuar dhe do të gjykohet me procedurë të zakonshme, për shkak të veprës penale që ka kryer i pandehuri. Në dosjen hetimore që SYRI TV disponon, thuhet se me vlerë është dëshmia e një prej kolegëve të Zaimit, ku ngrihen dyshime se ai e ka planifikuar më përpara vrasjen.

‘Makina e autorit qëndronte e ndezur në derën e komisariatit, e gatshme për tu larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa pak kohë para veprimit të zij, kishte dërguar mesazhe të dyshimta të afërmve të tij’, thuhet në dosjen hetimore. Prokuroria pretendon më tej, ndryshe nga sa këmbënguli mbrojtja, referuar aktit të ekspertimit psikiatriko-ligjor, se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij.

Ludjan Zaimi, sipas Prokurorisë, pak para krimit, i shkruan një personi të dënuar një mesazh me përmbajtje: ‘Do t'ju shkruaj në darkë diçka. Paçim tani... Elio, Eris, Faik, ju lë amanet babin dhe mamin, nëse do të kem mundësi do t'ju ndihmoj. Kur them amanet, duhet ta mbani amanetin. Eljo ose Eris, njëri nga ju, le të bëhet djali i shtëpisë time. Të lutem’.

Një tjetër mesazh, Ludjan Zaimi ia nis një shtetasi me iniciale D. C., të cilit i lë amanet personin e afërm e quajtur ‘D’.  25-vjeçari sipas prokurorisë e ka vrarë pikërisht për shkak të marrëdhënieve gjatë ushtrimit të detyrës Saliasin, pavarësisht se nuk ka ngritur shqetësim tek eprorët apo ndonjë i afërm i viktimës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco