Vrasja e Ergys Dashit/ Lidhjet dhe 'origjina' nga qyteti-port i Durrësit

Vrasja e Ergys Dashit/ Lidhjet dhe 'origjina' nga qyteti-port i Durrësit

11:40, 24/01/2022
A+ Aa A-

Ergys Dashi, 34 vjeç, nga qyteti i Durrësit, është ekzekutuar në një atentat mafioz në zemër të Guayaquilit të Ekuadorit, qyteti me portin e njohur për transportimin e sasive të mëdha të kokainës.

Mediat e Ekuadorit theksojnë se Dashi ishte nga qyteti-port i Durrësit. Pikërisht ky port shërben si portë hyrëse e kokainës.

Mediat ekuadoriane bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, rreth 19:00, kur Ergys Dashi ishte ulur të darkonte në një restorant me emrin “Grilling”, në rrugën “Avenue José Joaquín Orrantia”, përballë një qendre tregtare. Kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve mbante një buqetë me lule në duar, që janë futur në restorant me qëllimin e qartë për të vrarë 34-vjeçarin shqiptar. Ata janë ndaluar në hyrje të restorantit nga anëtarë të stafit, të cilët u kanë kërkuar certifikatën e vaksinimit, por punonjësit janë përballur me kërcënime.

“Mos ndërhyj, mos ndërhyj”, rezulton t’i kenë thënë atentatorët njërit prej punonjësve, duke i treguar edhe armën që mbanin në brez. Të trembur, punonjësit janë zmbrapsur e vrasësit kanë vijuar rrugën për të mbyllur “porosinë”. 20 plumba janë zbrazur me breshëri në drejtim të shqiptarit, 5 prej të cilave në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas atentatorët kanë hipur mbi motor dhe janë larguar duke shtënë sërish në drejtim të restorantit, për të krijuar frikë që askush të mos ketë mundësinë t’i ndjekë. Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë kanë rrëfyer se shumë klientë të lokalit, përfshirë gra, burra dhe fëmijë, kanë vrapuar të tmerruar pasi kanë parë masakrën mbi personin që po darkonte në të njëjtin ambient me ta.

Mediat ekuadoriane bëjnë me dije se Policia e tyre ka nisur hetimet për atentatin e bujshëm në mes të një restoranti. Të dhënat e para e lidhin vrasjen e shqiptarit me një mori ngjarjesh të dhunshme që e kanë kthyer qytetin-port në një arenë vrasjes për shkak të pazareve të prishura në trafikun e lëndëve narkotike.

Për të mësuar më shumë për viktimën Ergys Dashi është kërkuar edhe ndihma e autoriteteve të vendeve në të cilat ka jetuar shqiptari, ndërkohë që Policia vendase ka hapur një sërë dosjesh të ekzekutimeve të shumta të shqiptarëve në vendin e tyre. Autoritetet kanë shpjeguar se po hetohet për larje hesapesh mes grupeve shqiptare që veprojnë në atë qytet, por ende nuk dihet se kush kanë qenë porositësit e atij atentati ndaj të riut.

Kokaina që niset nga qytet-porti i Ekuadorit ka sjellë me dhjetëra viktimave vetëm përgjatë tri viteve të fundit, ndërsa në vendin tonë kamionë dhe maune vijnë të ngarkuara me drogë, kamufluar si import i bananeve.

Sipas të dhënave hetimore që lidhen me ekzekutimin e shqiptarit në Ekuador, bëhet me dije se ka dyshime që Ergys Dashi ka lidhje të forta me Lulzim Berishën dhe dy miqtë e tij, konkretisht Plarent Dervishajn dhe Eldi Dizdarin, të cilët rezultojnë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por që kanë gjetur strehim në Dubai. Sipas të dhënave, mësohet se Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga Policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona.

Trafiku i heroinës drejtohej nga shqiptari Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, i cili përfundoi pas hekurave pas një hetimi 3- vjeçar nga autoritete italiane në Akuila. Transporti i drogës, heroinë e cilësisë së shkëlqyer, bëhej përmes makinave të modifikuara dhe u tha se droga shitej me një çmim konkurrues dhe se grupi ishte aq i fuqishëm sa Policia italiane i konsideroi si pjesë të “Camorra”-s.

Ergys Dashi nuk është shqiptari i vetëm që u ekzekutua për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Pak vite më parë është vrarë edhe Adriatik Tresa, i cili u ekzekutua në hyrje të shtëpisë së tij nga 6 persona të maskuar si policë.

Ndërsa në mars të 2018-ës u vra shqiptari Fadil Kaçaniç bashkë me të shoqen, Fatimen, po për shkak të trafikut të drogës. 64- vjeçari i vrarë barbarisht bashkë me gruan e tij ishte njeriu që porosiste drogën që menaxhonin shqiptarët në Europë.

Ata u gjetën të vdekur në një zonë të banuar pranë qytetit të Guayaquil. Edhe në 2016-ën u vra shqiptari Ilir Hidri nga Vora me 3 plumba pas koke po në qytetin ku u vra edhe Dashi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco