Zbardhen të tjera detaje nga ekzekutimi i një shqiptari 43-vjeçar në Romë të Italisë.
43-vjeçari ishte në regjim gjysmëlirie nga burgu. 'Il Messagero' raporton se shqiptari u vra mbrëmë rreth orës 11:30 në rrugë me dy plumba pistoletë, një në kokë dhe një tjetër në gjoks.
Shqiptari kishte marrë leje dhe po takonte gruan dhe familjen në rrugën Gabrio Casati.
Ai duhej të kthehej në burgun Rebibbia. Pasi takoi familjen, mori ashensorin, zbriti dhe eci vetëm pak hapa kur u dëgjuan dy krisma.
Sipas gazetës italiane, ishte një ekzekutim i pastër, gjakftohtë, një vrasje mafioze e paramenduar.
Mjekët e gjetën shqiptarin të pajetë në vendin e ngjarjes. Ai kishte vdekur në çast. Trupi u gjet pranë një makine Toyota.
Ai kishte të kaluar kriminale. Vrasësi i dinte lëvizjte e tij dhe po e priste poshtë shtëpisë.
Pak pas vrasjes, në vendin e ngjarjes mbërriti vëllai 20-vjeçar i viktimës. Ai po ulërinte dhe po qante.
Hetuesit thonë se ekzekutimi ka lidhje me luftën mes klaneve. Zona në fjalë njihet për trafiqet ilegale prej shumë kohësh. Vetëm përpara pak ditësh, një njësi ushtarake kreu një operacion në këtë zonë për të arrestuar 21 persona. Vrasjet në Romë në këtë zonë janë bërë të zakonshme.
© SYRI.net