Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët tha se dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues. Rasti ka të bëjë me ngritjen e bllokadave komunat veriore të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – më 10 dhjetor 2022, të cilat ishin larguar më 29 dhjetor të atij viti.
Prokuroria Speciale tha se D.M., D.D., M.R., N.J., N.O., dhe S.V., nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor në komunat veriore të Kosovës, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.
Sipas organit ndjekës, ndaj 11 personave të tjerë të identifikuar me iniciale M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, “pasi ata deri më tani janë të paarritshëm” për organet e drejtësisë së Kosovës.
Të gjashtë të akuzuarit, tha Prokuroria, dyshohet se kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të forta, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
“Po ashtu, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion”, tha Prokuroria Speciale përmes një njoftimi.
Ata dyshohen për veprat penale: Bashkim për veprimtari kundërkushtetues me qëllim të të sulmit kundër Rendit Kushtetues të Republikës se Kosovës dhe pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Çfarë kishte ndodhur dhjetorin e vitit 2022 në veri?
Më 6 dhjetor të vitit 2022, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra kishte shpërthyer.
Zyrtarët zgjedhorë në atë kohë po organizonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pas tërheqjes së kryetarëve serbë në katër komunat në veri, që vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Për shkak të tensioneve, votimet u shtyn për prillin e vitit pasues.
Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, autoritetet kishin arrestuar ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, e cila e lidh Kosovën me Serbinë.
Arrestimi i tij rriti edhe më shumë tensionet, me serbët lokalë që më pas ngritën barrikada.
Në atë kohë, Serbia kishte vendosur në gatishmëri ushtrinë dhe kishte rritur praninë ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.
Barrikadat ishin larguar më 29 dhjetor, pas ndryshimit të masës së sigurisë së Pantiqit nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së, më 2025 janë dënuar me gjithsej 12 vjet burgim tre persona, përfshirë edhe ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq./ REL/
© SYRI.net