Pesë persona janë arrestuar në Kosovë për përfshirje në një rrjet të krimit të organizuar që dyshohet se ka trafikuar drogë në disa vende evropiane dhe ka pastruar miliona euro të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Arrestimet u kryen të martën në kuadër të operacionit ndërkombëtar “White Star”, pas një hetimi trevjeçar të mbështetur nga Europoli – agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian – dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës. Sipas Europolit, hetimi u ndërtua kryesisht mbi analizën e komunikimeve të shkëmbyera në platformën e koduar SKY ECC, e përdorur gjerësisht nga grupet kriminale në Evropë.
Mesazhet e dekriptuara u mundësuan hetuesve të identifikonin anëtarët kryesorë të organizatës, të gjurmonin rrjedhat financiare dhe të zbulonin mënyrën e funksionimit të rrjetit kriminal. Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, me urdhër të Gjykatës Themelore.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan gjashtë armë, 239 fishekë, rreth 9.7 gramë kokainë, mbi 35 gramë fara të marihuanës, 25 telefona mobilë, 10 kompjuterë, 10 automjete, një motoçikletë, 16 orë dore dhe 7.595 euro para të gatshme.
© SYRI.net