'Kosova voton mes apatisë dhe ngërçit politik'/ Zhitia: Pjesëmarrja në zgjedhje më e ulët, qytetarët të lodhur nga...

16:51, 07/06/2026

Gazetarja Albiona Zhitia, duke raportuar për SYRI TV, drejtpërdrejt nga Prishtina, bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme në Kosovë është dukshëm më e ulët krahasuar me procesin e kaluar zgjedhor, ndërsa qytetarët po votojnë për përbërjen e re të institucioneve shtetërore.

Sipas raportimit të Zhitisë, deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime kishte arritur në 22.74%, rreth 140 mijë votues më pak se në zgjedhjet e 20 dhjetorit 2025, kur pjesëmarrja në të njëjtën orë ishte 29.29%.

Gazetarja theksoi se kjo rënie lidhet kryesisht me lodhjen e qytetarëve nga proceset e njëpasnjëshme zgjedhore. Vetëm gjatë vitit 2025 qytetarët e Kosovës votuan më shumë se katër herë, ndërsa zgjedhjet e sotme janë të pestat brenda një periudhe prej 18 muajsh.

Duke folur për votën e diasporës, Zhitia raportoi se është shënuar rënie e numrit të votuesve në konsullata dhe ambasada, por njëkohësisht është regjistruar rritje e votimit me postë. Sipas saj, numri më i vogël i mërgimtarëve që kanë udhëtuar drejt Kosovës për të votuar ka ndikuar në uljen e pjesëmarrjes së përgjithshme.

Gazetarja nënvizoi gjithashtu se qytetarët po përballen me zhgënjim ndaj klasës politike dhe vështirësi ekonomike, faktorë që kanë ndikuar në interesimin më të ulët për procesin zgjedhor.

Sa i përket kostos së zgjedhjeve, Zhitia bëri të ditur se procesi i sotëm vlerësohet të ketë kushtuar rreth 30 milionë euro, një barrë e konsiderueshme për buxhetin e Kosovës. Kjo çështje ka nxitur akuza dhe kritika të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës për përgjegjësinë e krizës politike që solli zgjedhje të reja.

Në terren, situata është raportuar përgjithësisht e qetë. Sipas raportimit të Albiona Zhitia, në komunat veriore është vërejtur pjesëmarrje më e lartë e votuesve, me Leposaviqin që kryeson me rreth 45% të qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës.

Megjithatë, janë regjistruar disa incidente të izoluara në Prishtinë, Drenas dhe Shtime, ku persona janë ndaluar nga autoritetet pasi kanë dëmtuar fletët e votimit. Gjithashtu, janë raportuar ankesa lidhur me bojën identifikuese në gishta, por autoritetet zgjedhore kanë deklaruar se nuk ka probleme me sistemin e identifikimit të votuesve.

Qendrat e votimit mbeten të hapura deri në orën 19:00, ndërsa pritet të shihet nëse pjesëmarrja do të rritet në orët e fundit të procesit zgjedhor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco