Prokuroria Themelore e Prizrenit ka realizuar mbrëmë një aksion në Prizren, ku janë sekuestruar rreth 8 kilogramë ari dhe argjend, me vlerë mbi 460 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Aksioni është zhvilluar lidhur me dyshimet se disa biznese për shitjen e arit në qytetin e Prizrenit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore lidhur me tregtimin e arit dhe argjendit.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore që kanë nisur nga data 19 shtator 2025, me urdhër të prokurorit të çështjes, mbrëmë janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi.
“Gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është hasur sasi e konsiderueshme e arit dhe argjendit të padeklaruar, dhe është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” nga neni 312 të KPRK’së. Nga kontrollet e realizuara janë sekuestruar gjithsej: – 3.775,33 gram ari i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 455.000 euro; – 4.204,98 gram argjend i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 8.900 euro”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar dy armë/pistoleta pa leje dhe është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
© SYRI.net