Kurti fton opozitën për dialog, PDK pranon takimin, AAK e refuzon. LDK ende pa vendim

Kurti fton opozitën për dialog, PDK pranon takimin, AAK e refuzon. LDK ende pa vendim

18:28, 09/07/2026

Kryeministri në detyrë dhe njëherazi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka ftuar drejtuesit e partive opozitare në një takim për të diskutuar mbi formimin e institucioneve të reja të Kosovës, në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Ftesa e Kurtit ka marrë përgjigje të ndryshme nga partitë opozitare. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, e ka refuzuar ftesën. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka bërë publik qëndrimin e saj.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Bedri Hamza deklaroi se është i gatshëm të marrë pjesë në takim, por theksoi se prioriteti i partisë së tij nuk është ndarja e posteve qeveritare, por zgjidhja e problemeve me të cilat përballet Kosova.

Sipas Hamzës, diskutimet duhet të fokusohen fillimisht te programi qeverisës, vizioni për zhvillimin e vendit dhe adresimi i sfidave kryesore, ndërsa çështjet që lidhen me ndarjen e funksioneve institucionale duhet të vijnë vetëm pas arritjes së një dakordësie politike.

Ai shtoi se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon subjektit që ka fituar zgjedhjet dhe se pret që Albin Kurti të paraqesë një plan konkret për sigurimin e shumicës parlamentare.

Në të njëjtën linjë ishte edhe komunikata zyrtare e PDK-së, ku thuhet se çdo iniciativë për funksionalizimin e institucioneve meriton të dëgjohet me përgjegjësi, por se zhvillimet e mëtejshme do të varen nga serioziteti i procesit dhe nga zgjidhjet konkrete që do të ofrojë Vetëvendosje.

Krejt ndryshe ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i saj, Ardian Gjini, njoftoi përmes një letre publike se nuk e sheh të nevojshëm zhvillimin e një takimi me Kurtin.

Gjini rikujtoi se më 26 qershor AAK kishte paraqitur publikisht një ofertë politike për mbështetjen e krijimit të institucioneve, duke vendosur si kusht pranimin e gjashtë prioriteteve programore nga mandatari për formimin e qeverisë.

Sipas tij, Aleanca është e gatshme të kontribuojë në sigurimin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit pa kërkuar poste apo përfitime politike, por vetëm nëse pranohen këto prioritete, të cilat synojnë zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Ndër pikat kryesore të propozuara nga AAK janë pranimi i projektit të gazit amerikan si projekt strategjik kombëtar, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr për garantimin e pavarësisë energjetike, rritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro për bizneset e vogla, përjashtimi i tokës së punuar nga tatimi mbi pronën, si dhe financimi i plotë i projekteve kryesore infrastrukturore që aktualisht kanë mbetur pezull.

Përballë këtyre zhvillimeve, LDK-ja nuk ka dalë ende me një vendim zyrtar. Kryesia e kësaj partie u mblodh gjatë së enjtes për të diskutuar situatën politike, ndërsa zyrtarë të saj kanë bërë të ditur se në takim do të shqyrtohet edhe ftesa e bërë nga Albin Kurti.

Procesi i krijimit të institucioneve hyn tashmë në një fazë të rëndësishme, pasi më 9 korrik ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re. Deputetët kanë kohë deri më 7 gusht për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të konstituuar institucionin.

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 53 mandate, PDK 22, LDK 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 mandate.

Për zgjedhjen e qeverisë nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend. Sipas deklarimeve të zyrtarëve të Vetëvendosjes, kjo shumicë mund të arrihet me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, pa përfshirë Listën Serbe.

Ndryshe paraqitet situata për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, pasi Kushtetuta kërkon të paktën 80 vota. Kjo do të thotë se Vetëvendosja do të ketë nevojë për bashkëpunimin e një prej partive të mëdha opozitare, PDK-së ose LDK-së, për të siguruar zgjedhjen e kreut të shtetit brenda afatit prej 60 ditësh nga konstituimi i Kuvendit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco