Sot nisin takimet mes liderëve politikë për formimin e institucioneve

Sot nisin takimet mes liderëve politikë për formimin e institucioneve

09:15, 10/07/2026

Udhëheqësit politikë nisin sot takimet për konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Fillimisht, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, takohet me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në ambientet e Kuvendit.

Në orën 18:00 është paraparë takimi me udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së njëmbëdhjetë”, tha Kurti duke hyrë në ambientet e Kuvendit së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Takimet mes udhëheqësve politikë vijnë dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, të cilat u mbajtën pasi muaj më parë, partitë dështuan të arrinin konsensus për presidentin e ri të vendit.

Kurti e ka ftuar në takim edhe kreun e Aleancës, Ardian Gjini, por ai e ka refuzuar ftesën, duke argumentuar se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve.

Analisti politik, Ilir Deda, i ka vlerësuar si pozitive këto takime, por ka theksuar se është koha e fundit “që me një apo dy takime maksimum” udhëheqësit politikë “të japin përgjigje për krijim të institucioneve”.

Deda i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte shumë e dëmshme për vendin, duke shtuar se “Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”.

Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.

Pas certifikimit të rezultateve, deputetët e legjislaturës së re kanë përpara detyrën e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Për dy të parat kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. Partia e Kurtit i ka votat për dy proceset e para, pasi llogarit në votat e partive pakicë joserbe - që kanë dhjetë mandate.

Megjithatë, ende nuk ekziston një marrëveshje apo konsensus rreth emrit të presidentit.

Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.

Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.

Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco