Nga Gazmend Saiti/
Kanë mbetur vetëm 5 ditë nga afati përfundimtar i zgjedhjes së presidentit të ri në Kosovë, ndërsa partitë politike nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur një kryetar shtetit konsensual. Vetëvendosja insiston tek emri i Gauk Konjufcës, ndërsa LDK e Lumir Abdixhikut kërkon që emri i presidentit të jetë nga radhët e partisë që ai drejton.
Edhe Partia Demokratike ka pretendimet e saj që kreu i shtetit të jetë përfaqësues i kësaj partie. Takime e kryeministrit Albin Kurti me opozitën kanë rezultuar të pasuksesshme pasi nuk është rënë dakord me ofertat e dhëna nga Kurti.
Nga deklaratat e bëra gjatë kësaj jave kreu i qeverisë është shprehur se është i gatshëm të ofrojë postin e krykuvendarit dhe 4 ministri për LDK, por Abdixhiku insiston se diskutimi i vetëm është vetëm preisdenti! Menjëherë pas këtij takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut, kryeministri i Kosovës është shprehur se opozita po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja dhe kostoja e këtyre zgjedhjeve do të rëndojë mbi taksat e qytetarëve dhe sërish nuk do të ketë zgjidhje të ngërçit të krijuar.
Prej 9 shkurtit të vitit 2025 Kosova është me qeveri të pa caktuar në rregulla, por në emergjencë dhe kjo ka sjell një pezullim të shumë fondeve nga jashtë, ndërsa qytetarët e Kosovës janë ata të cilët po e vuajnë çdo ditë këto teka të politikës së drejtuar nga individë të cilët janë të lidhur ngushtë me karriget e deputetit dhe drejtorive të cilat i shikojnë si çifligje të tyre personale.
Megjithatë asnjëherë nuk është vonë për të gjetur një emër që mund të jetë konsensual, por edhe nëse ky emër do të zgjidhet nga opozita dhimbja ka për të qenë shumë e fortë për qytetarët e Kosovës, pasi pazare të tilla boshatisin buxhetin e shtetit me tendera për të mbushur arkat e partive që do të bëhen pjesë e pushtetit!
Ajo që shihet sot si një mundësi për të arritur një marrëveshje është rritja e çmimit të këtij pazari që kërkohet nga partitë opozitare…
Nëse nuk do të arrihet një dakordësi gjatë 5 ditëve të ardhshme vendi shkon në zgjedhjet e reja, që parashikohen të mbahen 30 ditë pas afatit përfundimtar dhe kjo datë është 31 maji, por mundësitë janë që për shkak të kohës së shkurtër të organizimit të këtyre zgjedhjeve KQZ do të kërkojë një javë tjetër shtesë që përkon më datën 7 qershor.
© SYRI.net