Osmani i drejtohet Trump pas heqjes së tarifës ndaj ShBA’së: Kosova është partneri juaj i besueshëm

Osmani i drejtohet Trump pas heqjes së tarifës ndaj ShBA’së: Kosova është partneri juaj i besueshëm

14:23, 01/08/2025

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas heqjes së tarifës doganore ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendim të cilin e mori sot Qeveria në detyrë.

Osmani i është drejtuar Presidentit amerikan, Donald Trump dhe popullit amerikan, duke thënë se Kosova është partneri i besueshëm ndaj ShBA’së.

Ajo ka thënë se Kosova është krenare që është vendi i parë që propozoi heqjen e gjithë barrierave ndaj aleatit më strategjik.

“Që nga sot, hyn në fuqi vendimi i Kosovës për një tarifë zero ndaj të gjitha mallrave amerikane. Jemi krenarë që jemi vendi i parë që propozuam heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për @POTUS dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”, ka shkruar Osmani në platformën “x”.

Ajo ka bashkangjitur edhe një postim që e kishte bërë në prill të këtij viti, ku kishte kërkuar heqjen e taksës.

Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kumtoi lajmin për heqjen e taksës. Vendimin e cilësoi si shumë të rëndësishëm.

Ai tha se nga sot, tarifa për produktet amerikane do të jetë zero.

Kurti tha se shpreson që ky vendim të ketë ndikim në rritje të këmbimit tregtar dhe investimeve.

“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me ShBA. Nga tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga ShBA’të do të kenë tarifë zero përqind kur hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë shumë që kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, ky hap dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe përkushtimin për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco