Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte paraparë të mbahej këtë të premte në ora 11:00, është shtyrë për në orën 20:00 të mbrëmjes, pas një kërcënimi me bombë që detyroi evakuimin e menjëhershëm të godinës.
Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Arben Loshi, i cili njoftoi se punimet do të vijojnë në orët e vona të ditës, sipas vendimit të kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
“Kjo shtyrje erdhi si pasojë e një alarmi për bombë në ambientet e Kuvendit, çka çoi në evakuimin e të gjithë deputetëve dhe stafit”, tha Loshi.
Policia e Kosovës konfirmoi se rreth orëve të paradites së 5 korrikut 2025 ka marrë një informatë me sms për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të Republikës së Kosovës. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitë policore të specializuara kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe kanë kryer evakuimin e personave që ndodheshin brenda ndërtesës.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit policorë, së bashku me prokurorinë kompetente dhe ekspertët e deminimit, janë duke kryer kontrollet e nevojshme në terren për të siguruar objektin dhe për të vlerësuar seriozitetin e kërcënimit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe shqetësim në opinionin publik, ndërsa autoritetet thonë se janë duke ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për vijimin e mbarë të procesit parlamentar.
© SYRI.net