U këshillua që të shmangen pikat kufitare me Serbinë: Mblidhen për protestë nja 30 serbë afër Jarinjes

U këshillua që të shmangen pikat kufitare me Serbinë: Mblidhen për protestë nja 30 serbë afër Jarinjes

19:47, 25/05/2024

 

Në pikën kufitare të Jarinjës, mes Kosovës e Serbisë situata është e qetë. Pak më larg prej Jarinjës, nga pala serbe, janë mbledhur rreth 30 qytetarë që paralajmëruan protestë.

Siç raportohet nga mediat serbe, këta qytetarë janë mbledhur, siç thonë ata, ‘për t’u japur mbështetjen e tyre serbëve të Kosovës’.

Të njëjtit, kanë mbajtur në duar parulla si: ‘Unë jam Kosovë’, ‘Gratë për Kosovën’, ‘Rikthim për të gjithë’, ‘Asambleja Kombëtare për mbrojten e Kosovës’, ‘Nuk jeni vetëm’, e të tjera.

‘RTK’ raporton se situata në pikën kufitare është e qetë dhe qarkullimi po vazhdon si zakonisht.

Sipas mediumit publik, në Leposaviq është parë prezencë më e madhe e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.

Po ashtu, kanë qëndruar edhe automjete të EULEX-it si dhe karabinierët.

U raportua që patrullimi po bëhet edhe nga ajri me helikopterë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të premten u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin pikat kufitare me Serbinë.

‘Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes Pikë Kalimeve Kufitare me SRB, se në pjesën e SRB, për nesër, datë 25 Maj 2024, janë paralajmëruar protesta.

Ju inkurajojmë që të përdorni PKK tjera për qarkullim.’ – thuhej në njoftim.

Ndërkohë, për ‘Kossev’,më herët ka folur edhe zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani, i cili ka konfirmuar se kanë qenë të informuar për mbajtjen e protestës.

‘Kemi informacione se diçka do të ndodhë te kufiri në anën e palës serbe’.

Ai nuk ka treguar se çfarë veprime apo masa paraprake janë planifikuar, por ka theksuar qartë që policia ka mjaftueshëm zyrtarë në veri.

‘Policia e Kosovës janë këtu për të mbajtur rendin publik dhe paqen në rast të ndonjë incidenti’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco