Rriten rastet e sëmundjeve seksuale në Kosovë

Rriten rastet e sëmundjeve seksuale në Kosovë

14:23, 22/05/2024

Në Kosovë është regjistruar një rritje e rasteve të sëmundjeve seksuale, gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave që ka siguruar Paparaci nga Ministria e Shëndetësisë, numri i rasteve të infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST) gjatë 2023 ka shkuar në 480, nga 178 raste të raportuara në vitin 2022. Kjo përfaqëson një rritje të incidencës nga 9.9 në 26.9 raste për 100.000 banorë.

Ndërsa sa i përket rasteve me HIV/AIDS, sipas MSh-së, Kosova ruan prevalencën më të ulët në rajon. Gjatë vitit 2023 në vend janë identifikuar 20 raste me këtë lloj sëmundje. “Nëse i referohemi HIV/AIDS-it, Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatave kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personat që injektojnë drogë (PID) dhe punonjëset femra të seksit (PFS).

Sa i përket HIV/AIDS-it, më 2022 ka pasur 21 raste, me incidencë prej 1.18 raste në 100.000 banorë, ndërsa më 2023, ka pasur 20 raste me incidencë prej 1.12 raste në 100. 000 banorë. Infeksionet seksualisht të transmetueshme përgjithësisht kanë një rritje të lehtë të rasteve krahasuar vitet e fundit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Siç pohojnë nga ky institucion, sëmundjet seksualisht të trasmetueshme më të zakonshme që janë identifikuar në vendin tonë janë: HIV/AIDS-i, Hepatiti akut B, Infeksionet me Human Papillom Virus (HPV), Herpesi gjenital, Sifilisi, etj.

Këto sëmundje nuk bëjnë përjashtime të moshave, por janë më karakteristike për moshat seksualisht aktive, pra moshat e reja, raporton Paparaci.

Kosova ka ngritur qendra për testim vullnetar për HIV/AIDS që nga viti 2002, të cilat ofrojnë shërbime falas dhe konfidenciale në disa qytete, përfshirë Prishtinën, Prizrenin dhe Gjilanin.

Testimi dhe trajtimi i të prekurve kryhet në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme rajonale. Shërbime të tjera, si këshillimi dhe edukimi për parandalimin e hershëm, ofrohen në nivel të kujdesit parësor shëndetësor. Fushatat ndërgjegjësuese dhe edukative kanë luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të këtyre sëmundjeve.

Këto përfshijnë promovimin përmes mediave tradicionale dhe sociale, dhe shënimin e Ditëve Botërore të IST-ve. “Fakti që Kosova ka numër më të vogël të rasteve të IST se vendet e rajonit dhe me gjerë, flet që ato kanë dhënë rezultate, gjithmonë në bashkëpunim midis institucioneve, partnerëve ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë, shoqërisë civile, komunitetit dhe mediave”, theksojnë nga MSh. Megjithatë, sfidat mbeten të shumta, duke përfshirë luftën kundër stigmës, zbulimin e hershëm të rasteve dhe sigurimin e terapisë më gjithëpërfshirëse.

Sipas ministrisë, dezinformimi dhe konspiracionet, veçanërisht ato kundër vaksinimit, përbëjnë një tjetër sfidë për autoritetet shëndetësore, duke ndikuar negativisht në përpjekjet për parandalimin dhe kontrollin e IST-ve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco