'Te varret e heronjve Meha ku Adem Jashari dhe babushi u betuan për luftë'

'Te varret e heronjve Meha ku Adem Jashari dhe babushi u betuan për luftë'

12:20, 13/05/2024

Nga Bekim Hamëz Jashari.

43 vjetori i rënies së heronjve Nebih e Tahir Meha, te varret e të cilëve Komandanti Legjendar Adem Jashari bashkë me babushin u betuan për luftë deri në çlirim.

43 vite me parë, kur studentët po protestonin në menyrë paqësore për të drejtat tona, në Prekaz u bë kthesa e madhe që do të ndryshonte rrjedhat e historisë në favor të popullit tonë autokton.

Ishte heroi ynë Tahir Meha i cili bashkë me babain Nebih Meha, duke mbrojtur pragun e shtëpisë tmerruan me luftën e tyre të drejtë një regjim të tërë shovenist serb, i cili me çdo kusht kërkonte dorëzimin e Tahir Mehes.

Por Tahiri nuk dorëzohej, ai ishte i vendosur që me pushkën e tij të shkruante historinë e re të popullit tonë.

Sot në një ditë si kjo nuk duhet të harrojmë se krahas burrave, aty ishin edhe gratë e familjes Meha, të cilat qëndruan të paluhatura e të vendosura në idealet e lirisë kundrejt pushtuesit serb.

Edhe pas shumë orë luftimesh Tahiri me babën plak nuk dorëzohej, ngase e kishte të qartë se pushka e tyre po shkruante historinë e popullit tonë. Pushka e tyre ishte simbol i lirisë, mesazhi i tyre e kaloi krismën e pushkëve. Mesazhi i qëndresës së familjes Meha u dëgjua përtej zërit të pushkëve.

Tahiri edhe pas rënies së babait të tij vazhdoi luftën deri në rënien heroike duke lënë të vrarë e të plagosur dhjetëra polic dhe kështu duke ia bërë me dije pushtuesit serb që kjo tokë nuk duron këmben e shkaut siç thoshte babai im Hamëz Jashari.

Lufta heroike e Tahir Mehës i dha forcë dhe shpresë, studentëve, të burgosurve politik e gjithë popullit tonë që ne mund të arrijmë të ndalim regjimin serb dhe kështu të jetësojmë ëndrrën tonë shekullore për Liri e Pavarësi.

Luftën e vëllait të tij Tahir Meha e vazhdoi edhe dëshmori Beqir Meha, duke u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke luftuar përkrah komandantit Legjendar Adem Jashari.

Me 25 mars të 99-tës, Beqiri ra në priten e ushtrisë paramilitare serbe, ku pas një lufte të ashpër ballë për ballë ra heroikisht, për tu kujtuar e nderuar gjithmonë nga çdo gjeneratë.

Qëndresa e Familjes Meha, është dëshmi që shqiptarët e duan lirinë më shumë se jetën, siç thoshte heroi ynë Fehmi Lladrovci, “Më e shtrejtë është Liria se jeta”.

Sot e kemi obligim moral e institucional që krahas nderimit të heronjve e dëshmorëve të kombit të punojmë në zhvillimin e shtetit tonë, për të mundësuar punësim dhe perspektivë për të rinjtë tonë.

Lavdi heronjve, Emin Lati, Nebih, Tahir e Beqir Meha!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco