Një muaj paraburgim, të arrestuarit për trazirat në Zveçan

Një muaj paraburgim, të arrestuarit për trazirat në Zveçan

14:55, 12/05/2024

 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit S.M, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”,  “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”, lidhur me trazirat e majit në Zveçan.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtar të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë, si dhe dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik.

Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, i njëjti lehtë mund të arratiset duke marrë në konsideratë faktin se i pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët, andaj në këtë rast caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm.

“I pandehuri S.M dyshohet se me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara me datë 29.05.2023 para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe duke përdorur shkumë ka tentuar të bëjë bllokimin e ventilimit të veturës së Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin të ngujuar brenda në veturë zyrtarë policorë, e  qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’ju ndalet furnizimi me oksigjen duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë, me çka nga veprimet e këtij të pandehuri përmbushën të gjitha elementet e veprave penale për të cilat dyshohet”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco