Një vit pas zgjedhjes, Zeqiri e Peci do zhvendosen në objektet komunale

Një vit pas zgjedhjes, Zeqiri e Peci do zhvendosen në objektet komunale

09:59, 26/04/2024

Një vit pas zgjedhjes në postin e kryetarit të komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri është kthyer në objektin komunal, ku do të mbahet seanca e Kuvendit. 

Kthimin në objekt e ka konfirmuar zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Arbër Vokrri.

Ai gjithashtu ka thënë se edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, së shpejti do të zhvendoset në objektin komunal. 

Sipas Vokrrit, në Zubin-Potok do të vazhdohet me rinovimin e zyrave të shkatërruara, kurse në Zveçan ka nisur zhvendosja e disa drejtorive dhe se i gjithë procesi pritet të përmbyllet gjatë javës tjetër.

Ai ka shtuar se mbledhja e Kuvendit Komunal të Zveçanit pritet të mbahet të martën.

Zeqiri deri më tani detyrën e tij e ka ushtruar nga zyra alternative në fshatin Çabër, ndërsa Peci në zyrën në fshatin Lipë.

Të dy vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata, pas tensioneve që u krijuan në veri dhe protestave të organizuara nga serbët, të cilët nuk i lejonin që funksionet t’i ushtronin nga objektet komunale, i janë përgjigjur thirrjes së ndërkombëtarëve që detyrat t’i ushtrojnë nga zyrat alternative.

Kurse nga objekti i komunës së Leposaviqit refuzoi të largohet kryetari nga radhët e Vetëvendosjes, Lulzim Hetemi, edhe pse prania e tij aty u kundërshtua për ditë të tëra me protesta, prej të cilave kryesisht pësuan gazetarët, duke u sulmuar e lënduar nga protestuesit serbë. 

Zhurmë nuk u krijua në Mitrovicë të Veriut, pas zgjedhjes së kryetarit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, që detyrën e ushtroi nga objekti komunal. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se situata në katër komunat në veri është e qetë dhe se ata janë në dijeni të çdo veprimi që zhvillohet atje. 

“Për çdo veprim i institucioneve të Kosovës që ndodh në veri të vendit, Policia ka njohuri, situata në veri është e qetë, por konsiderohet delikate”, ka theksuar Elshani. 

Drejtimin e nivelit lokal në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut, kryetarët joserbë e morën pas një procesi zgjedhor të bojkotuar nga shumica e qytetarëve serbë.

Në këto komuna, të banuara kryesisht me serbë, kryetarët shqiptarë punën e nisën në situatë të jashtëzakonshme. Përveç atij të Mitrovicës së Veriut, tre kryetarët e tjerë zotimin për ta kryer detyrën, në të cilën u zgjodhën me vota minimale, e bënë nëpër objektet shkollore fshatrash e jo në ato komunale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco