Albin Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjeve, Vuçiq refuzon

Albin Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjeve, Vuçiq refuzon

20:32, 26/10/2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë, garanton zbatimin e tyre.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas një maratonë takimesh që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, të enjten në Bruksel, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se pala tjetër nuk është.

‘Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023’, thuhet në komunikatë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.

Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.

Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë. /REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco