‘Paramilitarët, serbë lokalë të manipuluar, s’ishte plan kapja e veriut’/ TheEconomist citon ‘burime serbe’ për Banjskën

‘Paramilitarët, serbë lokalë të manipuluar, s’ishte plan kapja e veriut’/ TheEconomist citon ‘burime serbe’ për Banjskën

20:04, 26/10/2023

Prestigjiozja britanike “The Economist” i ka kushtuar një artikull sulmit paramilitar dhe terrorist në Banjskë – tash pas një muaji – të cilin e ka titulluar si “sulmi misterioz që dridhi të gjithë” ku ka zhvilluar një bisedë edhe me ministrin e brendshëm Xhelal Sveçla por edhe me disa “burime të mirëvendosura serbe” të cilët i citon gjatë tekstit për atë se çfarë besohet të ketë qenë sulmi në Banjskë.

Sveçla, siç e citon The Economist, ka ngulur këmbë në atë që plani ishte “aneksimi” i pjesës veriore të Kosovës dhe krijimi i një koridori në veri për depërtim të paramilitarëve dhe armëve; ndërsa disa burime serbe i thonë prestigjiozes britanike se ky “nuk ka qenë qëllimi”.

Ministri kosovar thotë se tashmë “po kryhen përgatitje” të tjera nga këto grupe paramilitare “për një përpjekje tjetër”, ndërsa “burimet e mirëvendosura serbe” të The Economist, thonë se “nuk besojnë se plani ka qenë kapja e veriut”. Megjithatë, edhe për këto “burime të mirëvendosura”, shkruan The Economist “sulmi ishte njëjtë misterioz”.

“Njëri nga ta (burimeve) thotë që shumica e pjesëtarëve të tyre (grupit paramilitar) ishin serbë lokalë që ishin manipuluar. Natyrisht, serbët e Kosovës janë të frikësuar nga forcat speciale policore të Kosovës të dërguar në veri, shumica prej të cilëve nuk flasin serbisht. Një nga teoritë ishte që grupi po përgatitej të shpërndante armët por se u kapën në befasi”, shkruan media britanike.

“Z. Svecla pretendon se zoti Radoicic planifikoi të siguronte kontrollin e këtyre rrugëve dhe kufirit, në mënyrë që më shumë paramilitarë të mund të kalonin nga Serbia dhe të konsolidonin kontrollin serb në veri, pasi grupi i parë të kishte pushtuar stacionet e policisë veriore”, shkruan më tej “The Economist”.

Më tej media britanike i kthehet kontekstit politik dhe përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve ku thotë që as Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe as Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq “nuk janë të etur” të zbatojnë marrëveshjet; përkatësisht njohjen faktike të shtetësisë së Kosovës nga Serbia krahas dhënies së një niveli autonomie politike për serbët e Kosovës.

Për Kurtin, The Economist shkruan se diplomatët e ShBA-së dhe BE-së “janë të tërbuar me të” dhe se “të cilin e fajësojnë për vazhdimin e trazirave në veri”.

“Për këtë arsye, thonë vëzhguesit serbë, nuk do të kishte kuptim që zoti Vuçiq t'i jepte dritën jeshile Radoiçiqit për të ngritur një kryengritje pikërisht tani, pikërisht kur ai deri më tani i kishte shpëtuar çdo faji për dështimin e bisedimeve”, shkruan më tej media britanike.

“Miroslav Lajçak, diplomati i BE-së që udhëheq dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po përpiqet ta ringjallë atë. Të dy udhëheqësit ishin të dy në Bruksel. Të dyja palët duhet të nxitojnë, sepse shumë serbë dhe shqiptarë nuk presin që liderët e tyre t'u sjellin një jetë më të mirë. Në vitin 1991, popullsia e Kosovës vlerësohej në 1.9 milion. Tani, meqë kaq shumë emigrojnë, në Kosovë mund të ketë mbetur jo më shumë se 1.5 milion, prej të cilëve serbët tani mund të numërojnë jo më shumë se 65,000 frymë”, përfundon The Economist./ Nacionale/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco