Kosova dhe BE nuk bien dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe: Po tani?

Kosova dhe BE nuk bien dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe: Po tani?

07:25, 20/09/2023

Përkundër thirrjes së përsëritur të Bashkimit Evropian që Kosova të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës nuk shprehet e gatshme të ndërmarrë hapa në këtë drejtim - së paku jo tash për tash.

BE-ja kërkoi të martën që puna për themelimin e këtij asociacioni, të nisë “pa vonesa të reja”.

Shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell, përsëriti po ashtu se Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë Marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në vetë propozimin e BE-së, njofton Radio Evropa e Lirë.

Ky propozim kërkon që zbatimi të nisë me “hapjen e procesit negociues për statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“ - gjë që nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Propozimi u dha në rundin e fundit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, por që, sipas diplomatëve të BE-së, u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe u pranua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “është gabim të vendosen kushtëzime” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, kur as në vetë tekstin e kësaj marrëveshjeje “nuk paraqiten kushtëzime”.

“Marrëveshja bazë duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa, pa kushte. Madje, edhe në Aneksin [e zbatimit të marrëveshjes] thuhet qartazi se të gjitha nenet zbatohen pavarësisht njëri-tjetrit”, tha Kryeziu.

Marrëveshja në fjalë u arrit në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në muajin mars në Ohër.

Marrëveshja me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe të Serbisë, Kosova nuk e ka zbatuar kurrë atë marrëveshje, nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit.

Kurti, në disa raste, ka thënë se nuk mund të lejojë themelimin e një asociacioni njëetnik, i cili do të kishte kompetenca ekzekutive, siç kërkon Beogradi.

Pas përfundimit të bisedimeve pa ndonjë rezultat, javën e kaluar, Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Duke folur në një konferencë me gazetarë, një ditë më herët, ai tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është “pozicionuar kundër Kosovës” në takimin e 14 shtatorit.

Kurti, po ashtu, tha se në ditët në vazhdim do të ketë takime me “të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës”.

BE-ja tha të martën se nuk i komenton “akuzat e pabaza” të Kurtit.

REL-i pyeti Kryeziun nëse Kurti do t’i përgjigjet ftesës së BE-së për një rund të ri bisedimesh me Vuçiqin, po qe se ka një të tillë, por ai nuk komentoi.

Ruge: BE-ja ta ndryshojë fokusin

Majda Ruge, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se nuk beson se Kurti po ua mbyll dyert takimeve të ardhshme me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, por po përvetëson, sipas saj, një taktikë që do ta bëjë më të vështirë për BE-në të vazhdojë me qasjen e tanishme.

Kjo qasje, thotë Ruge, konsiston me “ushtrimin e gjithë trysnisë mbi palën më të dobët, për të zbatuar [Marrëveshjen për themelimin] e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që nuk kërkon pothuajse asnjë lëshim nga Serbia, në këmbim”.

“Rrugëdalja - nëse përkufizohet si rivendosje e një procesi të ekuilibruar negocimi që ka shanse për të pasur sukses - është të ndryshohet fokusi. BE-ja nuk duhet ta legjitimojë idenë e një asociacioni si një njësi autonome de facto, gjë në të cilën këmbëngul Vuçiqi”, thotë Ruge për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, BE-ja “duhet të insistojë në zbatimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës” - ku popullata shumicë është serbe - dhe të promovojë një zgjidhje, e cila “siguron që pakica serbe në veri mund të ushtrojë një shkallë të mjaftueshme të autonomisë kulturore, arsimore dhe fetare”.

“Është e rëndësishme të kuptohet se lloji i Asociacionit që kërkon presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk synon domosdoshmërisht t’i promovojë interesat kulturore dhe fetare të popullit serb në veri, por më tepër një mekanizëm institucional të kontrollit politik dhe të ndërhyrjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. BE-ja nuk duhet ta pranojë këtë”, thotë Ruge.

Ker-Lindsay: Kurti të ofrojë diçka serioze

Por, për James Ker-Lindsayn, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, lëvizja e Kurtit është “shumë, shumë e rrezikshme për Kosovën” dhe “po i humb mbështetje të madhe ndërkombëtare”.

“Nuk i besoj Lajçakut, nuk i besoj Borrellit. Do t’ju drejtohem direkt juve - shteteve anëtare... Çfarë duhet të bëjnë shtetet anëtare? A pret që ato ta shkarkojnë Lajçakun, a pret që ta shkarkojnë Borrellin? Jo”, thotë Ker-Lindsay për Radion Evropa e Lirë.

Duke thënë se këta dy diplomatë vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën - Sllovakia dhe Spanja - Kurti “dëshiron ta kënaqë audiencën e tij vendase” dhe “të luajë me kartën nacionaliste”, shton ai.

Sipas tij, Kurti duhet të ulet dhe të bisedojë për themelimin e Asociacionit, nëse “është vërtet i interesuar që t’i rindërtojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian”.

Kurti “duhet të dalë me një lloj plani për Asociacionin, por është e qartë se nuk do që ta bëjë këtë dhe hyn në betejë me BE-në. Ai nuk do të dalë fitues diplomatik në këtë”, thotë Ker-Lindsay.

Qeveria e Kosovës, më herët këtë vit, ka dalë me të ashtuquajturin “model kroat” për Asociacionin, por ai nuk ka shkuar përpara.

Ker-Lindsay thotë se “nëse Kurti ofron diçka vërtet serioze” në lidhje me Asociacionin, trysnia ndërkombëtare, pastaj, do të zhvendoset mbi Serbinë.

Serbia - aleate e Rusisë, por edhe vend kandidat për anëtarësim në BE - nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet në fushata për mospranimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco