Kosovë, të enjte e të premte - seancat e fundit të sesionit pranveror të Kuvendit

Kosovë, të enjte e të premte - seancat e fundit të sesionit pranveror të Kuvendit

14:51, 25/07/2023

Prishtinë - Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se të enjten dhe të premten do të ketë seancë të Kuvendit.

“Të enjten mbahet seanca me pikat e papërfunduara, derisa të premten do të ketë seancë të re, e cila njëherësh do të jetë e fundit për këtë sesion pranveror”, ka thënë Kusari Lila pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi për vendimmarrje për mungesë të kuorumit, ngase partitë opozitare nuk morën pjesë në votim.

Kësisoj, thirrja e seancës tani do të bëhet me ftesë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Tahiri: PDK voton vetëm në seancën për shpërbërjen e Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur që të vazhdojë bojkotimin e pjesëmarrjes në votim në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Anëtari i kryesisë së Kuvendit nga ky subjekt politik, Abelard Tahiri ka thënë se grupi i tyre parlamentar e ka bërë të qartë se kjo do të vazhdojë deri në ditën kur do të ftohet një seancë për ta shpërbërë Kuvendin.

“Pra këtu rrugëdalje tjetër nuk ka. Kurrë në vendin tonë nuk kemi pasur shifra më alarmante të largimit të qytetarëve nga Kosova. Me sondazhet e fundit del se mbi 60 përqind e qytetarëve janë të gatshëm ta lëshojnë vendlindjen e tyre për një të ardhme më të mirë qoftë në Gjermani apo shtetet e tjera të Evropës. Ne, do të marrim pjesë në votim atëherë kur do të votohet shpërbërja e Kuvendit të Kosovës. Kjo legjislaturë dhe kjo mazhorancë nuk meriton të vazhdojë as edhe një ditë të vetme”, ka theksuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se në mbledhjen e sotme i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që seancat e ftuara nga ai kur nuk ka kuorum dhe vendimmarrje të kryesisë të respektohet Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës

“Ne si Grup Parlamentar kërkuam që ditën e premte kur do të mbahet seanca e rregullt pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës të kemi një diskutim mbi ato që kemi dëgjuar nga biseda e eksponentëve të LVV-së, shefes së Grupit Parlamentar Mimoza Kusari Lila me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb dhe të kemi një shpjegim të qartë se deri ku shkon angazhimi i një personi që ndiqet nga drejtësia e Kosovës dhe që është në listën e zezë të SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Një kërkesë e tillë është refuzuar nga mazhoranca dhe realisht nuk pati kuorum për vendimmarrje në kuadër të kësaj mbledhje dhe i bie që kryetari pa konsensus ta ftojë seancën e radhës dhe atë rend dite duhet ta votojë seanca”, ka shtuar Tahiri.

Ai tutje ka theksuar se do ta paraqesin si propozim si pikë të veçantë të rendit të ditës diskutimin sa i përket implikimit të Milan Radojçiqit në politikën dhe vendimmarrjen e Kosovës dhe më pas do të jetë seanca që do të votojë për këtë propozim.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco