Gjithçka gati për betimin e tre kryetarëve tjerë në veri – Policia nuk pret incidente, EULEX 'në gatishmëri'

Gjithçka gati për betimin e tre kryetarëve tjerë në veri – Policia nuk pret incidente, EULEX 'në gatishmëri'

09:59, 25/05/2023

Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të betohen sot.

Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci dolën fitues në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët në votime dhe bojkotimin e Listës Serbe.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përgatitur planin operativ dhe nuk pret asnjë incident, ndërsa EULEX-i  ka thënë është në gatishmëri dhe shpreson që gjithçka të shkojë ashtu siç ka shkuar gjatë betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.

Aktualisht situata raportohet të jetë e qetë.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha dje se janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e tre kryetarëve të rijnë në komunat veriore të Kosovës.

E Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur po dje, ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të betohen të enjten.

Kurti ka thënë se frikësimet, linçimet dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikuan drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve serbë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri, të cilat kishin mbetur pa kryetarë, dy prej tyre pa Kuvende, e qytetarët pa shërbime publike.

Andaj, Kurti tha se betimi i kryetarëve të rinj është proces normal që vjen pas zgjedhjeve demokratike, që synon kthimin e normalitetit dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët.

Izmir Zeqiri do të betohet si kryetar i Zubin Potokut në orën 10:00 në zyret komunale në fshatin Çabër.

Në këtë orë po ashtu do të betohet  edhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci në shkollën e fshatit Boletin.

Tri orë më vonë procedurën e betimit do ta kryejë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili ishte kandidat i VV-së. Edhe ai betimin do ta bëjë një zyre të ngjashme në fshatin Bistricë.

Të premtën e kaluar detyrën e mori edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ai betimin e bëri në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco