Zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës, si paraqitet pjesëmarrja e qytetarëve në votime, KQZ: Procesi i qetë dhe pa ansjë pengesë

Zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës, si paraqitet pjesëmarrja e qytetarëve në votime, KQZ: Procesi i qetë dhe pa ansjë pengesë

16:44, 23/04/2023

Veriu i Kosovës po voton për zgjedhjet e parakohshme lokale. 19 qendra votimi u hapën në orën 07:00.

Qytetarët do të votojnë për të zgjedhur drejtuesit lokale. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1.000 qytetarë në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri në orën 15:00, procesi zgjedhor ka vijuar pa ndonjë pengesë.

Pritjet janë që pjesëmarrja të jetë e ulët, meqë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila vetë nuk do të marrë pjesë në zgjedhje – ka bërë thirrje për bojkotim të procesit.

Konjufca bën thirrje për dalje masive në votime

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u bëri thirrje qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës që të votojnë masivisht në zgjedhjet lokale.

Ai tha se zgjedhjet po mbahen “në një atmosferë të qetë dhe demokratike”.

“Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara”, shkroi ai në Facebook.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

DEKLARATA E KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e dytë në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se procesi zgjedhor në këto katër komuna është duke shkuar në rregull dhe pa ndonjë pengesë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 11:00 në komunën e Leposaviqit kanë votuar 28 votues (0.21%), në komunën e Zubin Potokut 65 votues (1%), në Zveçan 29 votues (0.41%) dhe në Mitrovicën e Veriut 191 votues (1.05%).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Konferenca e tretëtë e KQZ-së do të mbahet në orën 15:30, në të cilën do të bëhet e ditur ecuria e procesit të votimit dhe pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje.

THIRRJET

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.

Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar. Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës – Lista Serbe – nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco