Takimi Kurti-Vuçiç, Escobar: Shpresoj që pas 18 marsit, të kemi lajme të mira

Takimi Kurti-Vuçiç, Escobar: Shpresoj që pas 18 marsit, të kemi lajme të mira

12:54, 17/03/2023

Prishtinë -  Pas takimit për rreth një orë, presidentja e  Republikës, Vjosa Osmani, së bashku me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mbajtën konferencë të përbashkët për media.

Escobar deklaroi se gjithmonë ka kënaqësi kur ndodhet në Prishtinë dhe mirëpret të ketë takim shumë produktiv në Ohër, ndërmjet kryeministrit të Kosovës,  Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë,  Aleksandar Vuçiq.

“Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën, Serbinë dhe rajonin, që të bëhen pjesë e plotë e komunitetit Euro-Atlantik”, deklaroi Escobar.

Ai tha se SHBA mendon se ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut nga BE-ja, ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrushme ndërmjet dy vendeve të rëndësishme të rajonit.

“Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, por  edhe për tërë rajonin, që të zhbllokohen disa prej atyre burimeve më të mira që Ballkani ia siguron vetës, por edhe krejt Evropës”, u shpreh diplomati amerikan.

Escobar theksoi se mirëpret një rezultat pozitiv në Ohër dhe është shumë optimist për një mundësi për zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira”.

Osmani pas takimit me Escobar: Kosova beson në marrëveshje që siguron paqen

Presidentja Osmai deklaroi se vizita e Escobarit sot krahas angazhimit disa mujor nga Kosova dhe partnerët ndërkombëtar, rikonfirmon përkushtimin e  përbashkët për të bërë progres në dialog.

“Ashtu siç e kam thënë në takim e them edhe këtu se Republika e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në dialog dhe me përkushtim të plotë e me qasje konstruktive, sic ka bërë përgjatë tërë këtij procesi, sidomos tani, duke e kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet tani takimi në Ohër”, tha Osmani në konferencë për media.

Ajo derklaroi se Kosova beson fort se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme e gjithëpërfshirëse e ku dy vendet trajtohen si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjate, stabilitet e prosperitet në rajon.

“Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi dhe me shpresë për një rezultat pozitiv”, deklaroi Osmani.

“Çdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat përmes kushtëzimeve, mund ta dëmtojë tërësisht procesin e dialogut”.

Osmani deklaroi se pritshmëria e saj si presidente e Republikës është që marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete e të prekshme për Kosovën.  

“Rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës, e kjo do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive e të menjëhershme të të gjitha strukturave paralele ilegale të Serbisë”, u shpreh presidentja e vendit.

Osmani më tej deklaroi se kjo marrëveshje përfshinë parimet e rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke.

“Ashtu siç e ceka më parë, një rezultat tjetër pozitiv për dialog do të jetë edhe kontributi për paqe e stabilitet afatgjatë në rajon”, deklaroi Osmani.

Në mënyrë të vecantë ajo u ndal te integriteti e sovraniteti i vendit.

“Është me rëndësi të përsëris se rendi kushtetues i Kosovës, integriteti territorial, sovraniteti e funksionaliteti i brendshëm të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator”, deklaroi e para e shtetit.Në lidhje me këtë, ajo falendëroi në mënyrë të veçantë, SHBA-në.

“Në këtë drejtim dua t’i falendëroj partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe  BE,  për angazhim të vazhdueshëm dhe proaktiv në këtë proces”.

Më tej, Osmani në veçanti falendëroi SHBA-në për konfirmimin e vazhdueshëm publik se rendi kushtetues dhe integriteti territorial dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës do të respektohen dhe mbrohen në çdo kohë.

Ajo tha se është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e zbatueshme e po ashtu të mbështetet nga populli i Kosovës dhe të zgjedhurit e tij në mënyrë demokratike.

“Ne do të vazhdojmë të ndërtohet konsensus në të gjithë spektrin politik në vend dhe për të siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet së bashku me planin e zbatimit, të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike si dhe zbatimi i polotë i saj të bëhet në mënyrë efektive”.

 

Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u prit paradite nga nga presidentja Vjosa Osmani. 

I fundit nga liderët institucionalë që do të takohet me emisarin Escobar është kryeministri Albin Kurti.

Vizita e emisarit amerikan në Kosovë vjen vetëm një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim pritet konkretizimi i planin tashmë të njohur franko- gjerman që parashikon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Kujtojmë se para qëndrimit në Prishtinë, emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka qëndruar në Beograd.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco