Betejat e Kosovës për milionat e Arbitrazhit, tri raste të mëdha në favor të shtetit

Betejat e Kosovës për milionat e Arbitrazhit, tri raste të mëdha në favor të shtetit

08:46, 24/01/2023

Kosova është ballafaquar në arbitrazhe ndërkombëtare në gjashtë raste, ku ka qenë e përfshirë Avokatura Shtetërore. Deri më tani, tre raste janë fituar, kurse për tre të tjera pritet vendimi në javët në vijim. Nga rastet e fituara janë shpëtuar mbi 470 milionë euro. Në rastet që janë në proces, rreziku është për humbjen e 50 milionë eurove, shkruan Fatos Shala.

Republika e Kosovës është dërguar në të paktën gjashtë raste në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Deri tani, tre nga rastet e mëdha kanë përfunduar në favor të shtetit kurse tre të tjera janë në procedurë.

Zëvendësavokatja e Përgjithshme e Shtetit, Fitore Gajtani, ka thënë se procedurat në të tre rastet e mbetura të shtetit në Arbitrazhin Ndërkombëtar kanë përfunduar. Në një periudhë afatshkurtër, sipas saj, priten të shpallen vendimet.

“Në arbitrazhin ndërkombëtar, Avokatura Shtetërore në përgjithësi ka gjashtë raste, ku tre i kemi fituar. Në proces kemi edhe tre të tjera për të cilat janë mbajtur seancat, vetëm se presim vendimet nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar”.

Nga tre rastet e fituara deri tani, 475 milionë euro i janë shpëtuar buxhetit të shtetit.

“Iute Credit” dhe Kosova, vlera 30 milionë

Fitorja e fundit është ndaj institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”. Nga ky rast, Kosova ka shpëtuar 30 milionë euro.

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e kishte dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në shkurt të 2020-s.

Banka Qendrore e Kosovës e kishte mbyllur “Iute Credit” në fillim të muajit dhjetor të 2019-s, me arsyetimin se funksiononte me norma interesi jashtë çdo standardi.

“Banka Qendrore ka vendosur të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar ‘Iute Credit Kosova’.

Devijimi më i rëndësishëm ka të bëjë me normën e interesit që ky institucion ka aplikuar në kredi – të cilat kanë qëlluar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normën që kishte paraparë në planin e tyre të biznesit”, pati thënë në atë kohë, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

“Iute Credit” nuk ishte pajtuar me revokimin e licencës, prandaj edhe e paditi shtetin në Gjykatën e Arbitrazhit, dy muaj pas mbylljes.

Institucioni pretendonte se është dëmtuar nga vendimi i BQK, ndaj kërkonte kompensim me vlerë monetare 30 milionë euro.

Në nëntor të këtij viti, përfundoi rasti me fitoren e shtetit. Pretendimet e “Iute Credit” u rrëzuan, rrjedhimisht shteti shpëtoi 30 milionët e kërkuar nga ky institucion.

Guvernatori Fehmi Mehmeti ka thënë se fitorja ka vërtetuar se BQK-ja ka qenë e sigurt në ligjshmërinë e vendimit, por edhe për 13 tërheqjet e licencave dhe lejeve në 5 vitet e fundit.

“Republika e Kosovës nuk do të ketë asnjë shpenzim, asnjë kosto përfshirë këtu edhe shpenzimet e avokatit do të paguhen nga ‘IuteCredit’. Kjo tregon shumë për ne si BQK, se vendimet të cilat i kemi marrë, gjithmonë kanë qenë në favorin tonë. Kanë qenë vendime të ligjshme dhe kjo tregon që ligjshmërinë e kemi pasur gjithmonë prioritet”.

Sipas Mehmetit, “IuteCredit” ka aplikuar norma interesi me 500%, 600% e 700% në raste të caktuara dhe, sipas tij, kjo ka qenë jashtë planeve të bizneseve që kanë marrë regjistrim dhe arsyeja kryesore që ia kanë hequr atë.

“IuteCredit”, Banka Qendrore e Kosovës ka fituar rastin edhe ndaj institucionit mikrofinanciar “Monego”.

 

PTK fiton ndaj “Axos”, vlera 380 milionë euro

Kosova ka pasur edhe një përballje tjetër në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, me një kompani tjetër ndërkombëtare.

Beteja është zhvilluar me kompaninë “ACP Axos Capital Gmbh”, e cila fillimisht ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75% të aksioneve të kompanisë së telefonisë celulare “Vala”, për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës nuk ia dha “dritën jeshile” raportit të qeverisë për shitjen e PTK-së, pasi ishte opozita ajo që e kundërshtonte fort këtë proces, duke bojkotuar disa herë edhe seancat.

Madje, opozita kërcënoi se nuk do ta votonin edhe buxhetin për vitin 2014, pas përpjekjes së qeverisë që me një amendament në këtë ligj të përfshijë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Pas disa shtyrjeve, Qeveria e Kosovës nuk e nënshkroi kontratën me këtë kompani.

“ACP Axos Capital Gmbh” e dërgoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke kërkuar miliona euro. Padia u dërgua më 4 qershor të vitit 2015 në këtë gjykatë. Nëse Qeveria e Kosovës do ta humbte rastin, rrezikon të humbasë shumën 380 milionë euro.

Pas përballjes në këtë gjykatë, rasti u fitua nga Kosova. Vendimi u mor në prill të vitit 2018.

“ACP Axos vs. Republic of Kosovo, ka rezultuar në fitore të plotë për Kosovën, duke mundur një padi në vlerë prej 380 milionë euro”, thuhet në njoftimin e kompanisë “Squire Patton Boggs” e cila ishte angazhuar nga Kosova për ta përfaqësuar në këtë procedurë.

“Hotel Victory” dhe Kosova, 65 milionë euro

Në gusht të këtij viti, shteti i Kosovës fitoi një rast të madh arbitrazhi me ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës. Pas më shumë se dy vite betejë ligjore, më në fund u mor vendimi pro shtetit, ku Kosova rrezikonte të humbte 65 milionë euro.

Bedri Selmani, i cili njihej nga shteti si ‘uzurpator i pronës’, e pati dërguar Kosovën në Arbitrazh për pronën “Hotel Victory”, e pronën e “Auto Prishtina”.

Ai pretendonte se ndërprerja e kontratës për shfrytëzimin e pompave të benzinës ka qenë e kundërligjshme.

Selmani dërgoi padinë në prill të vitit 2019, duke kërkuar nga shteti kompensim në vlerë 65 milionë euro, për pronat që kishte mbajtur të uzurpuar për disa vite me radhë.

Këto prona që nga paslufta ishin shfrytëzuar nga biznesmeni Bedri Selmani, deri kur Agjencia Kosovare e Privatizimit e pati përfshirë “Hotel Victory” në listën e uzurpatorëve.

Selmani ishte vendosur në këtë objekt që atëherë e hapi “Hotel Victory” me bekimin e Azem Sylës në vitin 1999, kur ky i fundit ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi.

Paraprakisht, objektet e ndërmarrjes “Auto Prishtina” ishin përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, deri në kohën kur UNMIK-u kishte shpërbërë këtë qeveri që nuk njihej ndërkombëtarisht.

Në vitin 2016, shteti arriti ta rikthejë nën menaxhim këtë pronë. APK bashkë me Policinë e Kosovës e patën liruar objektin, e cili iu dha në shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Biznesmeni Selmani, për vite me radhë, kishte mbajtur në shfrytëzim edhe pompat e INA Zagreb. Ai madje e ka paditur shtetin për rrënimin e njërës pikë.

Rasti përfundoi në gusht të këtij viti, në favor të Ministrisë së Drejtësisë. Biznesmeni Selmani, bazuar në këtë vendim të arbitrazhit ndërkombëtar, u detyrua për kompensimet e shpenzimeve të procedurës.

“Më datë 01.08.2022, Tribunali i Arbitrazhit (ICC) ka nxjerrë vendimin final në çështjen e Bedri Selmanit kundër Republikës së Kosovës, duke refuzuar kërkesëpadinë e paditësit Bedri Selmani dhe duke e urdhëruar të njëjtin që të paditurës Republikës së Kosovës, t’ia kompensojë shpenzimet e krijuara në këtë procedure”./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco