Fenerbahçe është përballur me një shqetësim serioz gjatë fazës përgatitore për sezonin e ri, pasi sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka pësuar një dëmtim në stërvitje.
Sipas raportimeve të mediave turke, Muriqi ndjeu dhimbje gjatë seancës stërvitore dhe nuk arriti ta vazhdonte atë. Menjëherë ndërhyri stafi mjekësor i klubit, ndërsa futbollisti u largua nga fusha me barelë, duke ngritur shqetësime për gjendjen e tij.
Sulmuesi do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara mjekësore, të cilat do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e mundshme të rikuperimit.
Fenerbahçe pritet të publikojë në orët në vijim një njoftim zyrtar lidhur me gjendjen e sulmuesit të Kosovës.
Lëndimi i Muriqit vjen në një moment të rëndësishëm, teksa skuadra po përgatitet intensivisht për nisjen e sezonit të ri dhe shpreson ta ketë sulmuesin në dispozicion sa më shpejt.
Tifozët e klubit turk dhe ata të Kosovës presin me ankth rezultatet e kontrolleve mjekësore, me shpresën që dëmtimi të mos jetë serioz dhe Muriqi të rikthehet sa më shpejt në fushën e blertë.
© SYRI.net