Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Nuk do ndodhte gjë në Kosovë, nëse serbët nuk do ta hanin në Katar

Nuk do ndodhte gjë në Kosovë, nëse serbët nuk do ta hanin në Katar

Nga Gordan Duhacek - 13/12/2022

Nëse Kombëtarja e Serbisë në futboll nuk do të ishte eliminuar në mënyrë të turpshme nga Kupa e Botës në Katar, sot nuk do të shihnim përshkallëzimin e krizës në veri të Kosovës.

Do të shihnim presidentin serb Aleksandar Vuçiç, huliganin më të moshuar dhe më të famshëm të Ballkanit, duke brohoritur me fanatizëm në lozhën e nderit në Doha, duke bërë foto me sheikët arabë dhe të gjitha perversitetet e tij të transmetoheshin menjëherë nga TV Pink.

Vuçiç do të gënjente për një kohë të gjatë dhe gjerësisht se suksesi i Kombëtares së futbollit ishte në të vërtetë i tij, se ai - në stilin e pa kripë të Tuxhmanit - rregulloi taktikat për trajnerin Dragan Stojkoviç dhe urdhëroi se cilët lojtarë të futeshin në formacionin e parë.

Ai gjithashtu do të shtonte se ka bërë disa marrëveshje të mëdha në Katar, nga të cilat populli i Serbisë do të jetojë edhe më mirë se tani.

Mirëpo, meqenëse operacioni standard politiko-propagandistik i Vuçiçit mbeti ëndërr boshe, ai organizoi një nga operacionet e tij të veçanta politiko-propagandistke, në mënyrë që të paraqitej edhe një herë si një shpëtimtar i popullit serb dhe si një faktor relevant në këtë pjesë të Evropës.

Atentati i fundit i rremë mbi të sërish kaloi pa jehonë, ndërsa Kroacia aktualisht është në një eufori futbolli, ndaj nuk ia vë atij astre për qind, veshin.

Nga ana tjetër në Bosnjë e Hercegovinë, pas tronditjes dhe mosbesimit, po kryhet një proces relativisht konstruktiv i vendosjes së pushtetit shtetëror, ndaj Vuçiç iu kthye sërish hitit të tij më të madh - veriut të Kosovës, ku ende jeton një pjesë e vogël e serbëve.

Ajo që po shohim ditët e fundit në veri të Kosovës është vetëm një tjetër performancë e Vuçiçit, e cila i jep atij mundësinë që edhe një herë, si të gjithë psikopatët me çrregullime narcise të personalitetit, ta vendosë veten në qendër të vëmendjes, të flasë gjerë e gjatë se sa keq po ndihet, se sa vështirë e ka më politikanët e Kosovës dhe të stilizohet në mënyrë kaq qyqare si shpëtimtar i Serbisë.

Dhe pas çdo ankimi të tij, mediet serbe, disa serbë nga Kosova i trajtojnë si arinj në zinxhir, për të cilët kuptimi i jetës është të kërcejnë pikërisht ashtu siç iu thotë Vuçiç.

Kurti e mposhti Vuçiçin në çdo aspekt ndaj pa asnjë dyshim kjo është një arsye shtesë për përshkallëzimin e fundit të situatës.

Në fakt, Vuçiç u mposht javët e fundit me mjeshtëri nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili dëshmoi se nuk ka penicilinë më të mirë për inflamacionin e quajtur Vuçiç sesa racionaliteti i ftohtë, qetësia dhe këmbëngulja.

Pra, Vuçiçi e humb durimin pikërisht për këtë arsye, sepse ai vetë e kuptoi se nuk është në lartësinë e Kurtit të cilit nuk i bën aspak përshtypje aktrimi i tij dramatik, prandaj nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta quante Kurtin “llum terrorist” dhe të nderonte serbët e Kosovës që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të, me ofendime edhe më të këqija.

Është e vështirë të thuhet saktësisht se për çfarë është kontesti aktual ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse bëhet fjalë për arsye teknike, si targa, posterë në pikat kufitare dhe gjepura të tilla se ku varet flamuri i kujt.

Më e keqja është se Vuçiçi sërish ka nxitur një pjesë të serbëve të Kosovës që të punojnë në dëm të tyre, siç bëri dikur me serbët e Kroacisë në Knin.

Presidenti i Serbisë në fakt po bën gjithçka që është e mundur që serbët nga veriu i Kosovës të zhduken.

Kjo, për fat të keq, nuk do ta bënte atë liderin e parë të Serbisë që është gati të sakrifikojë popullin e tij në emër të territorit, duke e gënjyer rregullisht se po punon për ripushtimin e tij.

Është shqetësuese të shohësh se sa shumë ky njeri i kompleksuar, i cili duket se nuk i ka të gjitha dërrasat në kokë, e urren popullin serb dhe sa shumë përpiqet të shkatërrojë jetën e një brezi tjetër të serbëve.

Serbët janë për të thjesht rekuizita në shfaqje, ose edhe më saktë një justifikim që ai të shfaqet në ndonjë televizion të regjimit dhe t'i bëjë pyetje të rëndësishme retorike, zyrtarëve të lartë të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian, para të cilëve në prapaskenë gjunjëzohet rregullisht si një lypsar i keq dhe iu lutet për më shumë para.

Është shfaqje e neveritshme teatrale mënyra se si u zvarrit Vuçiç sërish nën këmbët e Brukselit dhe Uashingtonit, sidomos kur kujtojmë se dhjetë ditë më parë ai kërcënoi në mediet e tij se nuk do të paraqitej në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë,  për t'u përkulur para atyre që janë atje disa ditë vetëm për nevoja të politikës së brendshme.

Çfarë qyqari rrugaç!

Kërcënimi me luftë i ndihmon Vuçiçit edhe në marifetin e quajtur politikë e jashtme e Serbisë, sepse gjatë përpjekjes së tij të rremë për ta parandaluar gjoja luftën në Kosovë, askush nuk e pyet se kur do t'ia vendosë sanksionet, Rusisë.

E gjithë kjo ndodh pas shpinës së njerëzve të thjeshtë, të cilëve u kërkohet të sakrifikojnë jetën në emër të modës së fundit të Vuçiçit. Fatkeqësisht, sado që të jetë e tejdukshme loja e Vuçiçit, gjithmonë ka mundësi që gjërat të dalin jashtë kontrollit dhe të fillojnë realisht të shtënat masive.

Duke marrë parasysh situatën aktuale në Evropë dhe balancën gjeopolitike të fuqisë, është e vështirë të vihet bast se Serbia do të dilte fitimtare nga lufta me Kosovën, sepse çfarëdo që do të mund të quhej si fitore në atë rast, serbët e Kosovës do ta paguanin çmimin më të lartë për çmendurinë e Vuçiçit.

Sa më shumë që Vuçiç avokon për ta, aq më e keqe bëhet jeta e tyre; sa më shumë që garanton për sigurinë e tyre, aq më pak të sigurt janë ata.

Ai në fakt fatin e tyre e ka dorëzuar shumë kohë më parë në duart e bandave të ndryshme kriminale serbe që enden në veri të Kosovës dhe që janë një kërcënim shumë më i madh për ta, sesa policia apo ushtria e Kosovës.

Sigurisht që edhe pala kosovare në gjithë këtë tollovi e bën lojën e saj, por luan shumë më zgjuar se Vuçiçi.

Serbët e Kosovës më në fund duhet të kuptojnë se ata janë vetëm pionë në lojën e dikujt tjetër dhe se është më e mençur për ta, të vënë bast për fituesin.

Dhe një gjë është e sigurt: Aleksandar Vuçiç nuk do të jetë fituesi. Sepse është ai që i shtyn ata për të kërcyer nga shkëmbi i lartë në humnerë të thellë.

Është e mërzitshme të shikosh, se si përkundër këtij realiteti të faktuar shumë prej tyre janë të gatshëm të jenë zagarë të tij./ Përktheu nga kroatishtja, Lirim Gashi

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco