Filmi “The Devil Wears Prada 2” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën, duke arkëtuar mbi 620 milionë euro në arkat globale.
Me këtë rezultat, e gjithë franshiza ka kaluar shifrën historike prej 900 milionë eurosh.
Kur këtij suksesi i shtohet edhe filmi origjinal “The Devil Wears Prada”, i cili kishte gjeneruar rreth 300 milionë euro, seria shndërrohet në një nga më fitimprurëset në historinë e kinemasë, edhe pse përbëhet vetëm nga dy filma.
Premiera e filmit u zhvillua në fillim të majit, ndërsa vetëm në fundjavën e parë arriti të arkëtonte rreth 70 milionë euro në Amerikën e Veriut.
Më pas, filmi vijoi dominimin në kinema, duke arritur në total 200 milionë euro në tregun e Amerikës së Veriut dhe 420 milionë euro në tregjet ndërkombëtare.
Në suksesin e filmit ka ndikuar edhe rikthimi i kastit origjinal, ku marrin pjesë Meryl Streep, Anne Hathaway, Emily Blunt dhe Stanley Tucci.
Filmi është vazhdim i historisë së bazuar në romanin e Lauren Weisberger, duke sjellë ngjarjet dy dekada më vonë dhe duke ndjekur jetën e Andy Sachs, e cila rikthehet në botën e modës dhe revistës “Runway”.
Sipas kritikëve të industrisë, suksesi i këtij vazhdimi nuk lidhet vetëm me nostalgjinë, por edhe me mënyrën se si historia është përshtatur me realitetin bashkëkohor, duke e kthyer atë në një nga hitet më të mëdha të vitit në kinematografi.
© SYRI.net